Klubi i futbollit Besa edicionin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Parë të Kosovës. Kjo është konfirmuar shumë më herët.
Por te Besa janë të vendosur ta vazhdojnë garën në Superligë me gjithë potencialin që kanë. Madje pejanët nuk i fshehin ambiciet edhe për fitore në katër ndeshjet e fundit.
Ka pasur opinione të ndryshme se Besa e dorëzuar do të luajë pa motiv në xhirot e mbetura. Por ndryshe thonë te klubi pejan. Dhe ndryshe tregojnë rezultatet.
“Ne do të luajmë futboll deri në xhiron e fundit, sepse vetëm këtë gjë dimë ta bëjmë. Nuk futemi në të tjera gjëra që opinioni tashmë i di”, ka thënë trajneri Leotrim Krasniqi.
Me Krasniqin në krye, Besa ka arritur disa rezultate pozitive, që ua kanë prishur shumë planet skuadrave. Kjo vlerësohet me shumë rëndësi në kohën kur ka dyshime të mëdha për kurdisje të rezultateve.
Veçohen dy xhirot e fundit, ku ndaj Dritës dhe Trepçës ’89, Besa arriti të nxjerrë nga një pikë. Besa ndali fillimisht Dritën, që garon për titull, kurse ndali në barazim edhe Trepçën ’89, që është në garën për mbijetesë.
Barazimi ndaj Besës, Dritës i kushtoi me rënie në pozitën e tretë, ndërsa Trepçës ’89 në pozitën e shtatë dhe rrezikim për të siguruar mbijetesën. Besa është e fundit me 12 pikë.
Skuadra pejane ndeshjen e radhës e luan në Brestovik të Pejës kundër lideres, Prishtinës, ndërsa në xhiron e 34-t luan në udhëtim ndaj Llapit. Ndaj Feronikelit që po ashtu lufton për mbijetesë luan në xhiron e parafundit (35), ndeshje që do të luhet në Drenas, kurse në Pejë në xhiron e fundit e pret Gjilanin.
“Synimi kryesor nuk janë pikët, por zhvillimi ynë, i lojtarëve të rinj dhe dominimi i ndeshjeve, gjë që jemi duke e arritur ndeshje pas ndeshjeje. Shumë kanë menduar se jemi dorëzuar, por ne kemi vazhduar me punë gjithnjë e më shumë me trajnerin tonë Leotrim Krasniqin dhe me mbështetjen e klubit. Ne nuk luajmë për t’ua prishur planet ekipeve të tjera, por për të respektuar veten dhe të bëjmë ndeshje të mira dhe të forta në vazhdimësi”, ka thënë Etnik Brruti të dielën për KOHËN. Brruti është ndër lojtarët më të dalluar te skuadra e Besës që përbëhet kryesisht nga lojtarë të rinj. Ai këtë edicion ka shënuar dy gola dhe ka asistuar pesë herë.
Në fakt, Besa solli disa lojtarë të huaj e bashkë me ta edhe një staf trajnerësh të huaj në krye me francezin Jerome Klein, që u largua në heshtje. Bashkë me trajnerin Klein janë larguar edhe futbollistët e huaj.
Kampionia e shumëfishtë e Kosovës ka humbur peshën që kishte në futbollin kosovar një kohë të gjatë. Kthimin në kategorinë e dytë shumë pejanë e vlerësojnë të papranueshëm për një klub me nam si Besa. Por me rezultatet e fundit Besa u ka bërë nder emrit dhe garës në Superligë.
Besa këtë edicion ka regjistruar dy fitore dhe gjashtë barazime. Fitore ka shënuar në javën e pestë në shtëpi ndaj Trepçës ’89 dhe ndaj Feronikeli më pas. Besa i nxori Feronikelit edhe barazim, ndërsa nga një pikë ua ka marrë edhe Llapit dhe Drenicës dy herë.
Besa të shtunën i shkaktoi telashe ‘89-shit, që është ankuar në ndarje të drejtësisë.
Kryesia e klubit Trepça ’89 është e pakënaqur me ndarje të drejtësisë nga gjyqtari Genc Nuza. Në reagimin e skuadrës nga Mitrovica është paraqitur një video me dy raste nga ndeshja me Besën, që sipas mitrovicasve kanë qenë penallti.
“Nuk i dimë arsyet e këtyre pazarllëqeve që po bëhen në dëm të KF Trepçës ‘89. Kujt po i pengon që KF Trepça ‘89 të jetë pjesë e Superligës së Kosovës në futboll. Gabimet nga ndeshja e djeshme ndikuan direkt në rezultat e ku me këtë barazim rrezikohemi në vazhdimësi të kampionatit”, thuhet në reagimin e ‘89-shit.