Prishtinë, 5 shkurt – Kemal Ademi ka ngjallur reagime të shumta me një deklaratë të tij për të ardhmen eventuale në nivel përfaqësuesesh. Ademi ka thënë për mediat zvicerane se do të ishte shumë i lumtur nëse do ta kontaktonte selektori i Zvicrës, Vladimir Petkoviq.
Me formën aktuale, gjasat thuajse nuk ekzistojnë që Petkoviq ta ketë në listë Ademin. Ai nuk bindi te Fenerbahçe dhe tani po luan si huazim te Karagumruk, skuadër dukshëm më e vogël turke.
Por për Ademin momentalisht nuk ka interesim as nga Përfaqësuesja e Kosovës. Dhe me deklaratat e tij ai vetëm sa është larguar nga mundësia që të paraqitet për Kosovën në të ardhmen.
Ademi, 25-vjeçar, nuk ka realizuar gol në këtë edicion në kampionatin turk dhe menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, ka konfirmuar për KOHËN të premten mbrëma se për sulmuesin shtatlartë nuk ka interesim.
Kosova është interesuar gjatë për Ademin në fakt. Madje në një moment ishte vlerësuar se ai është fare pranë. Për këtë një delegacion i FFK-së kishte udhëtuar për në Zvicër për të zyrtarizuar ardhjen e tij. Madje drejtuesit e FFK-së kishin marrë me vete një fanellë të Kosovës me mbiemrin “Ademi” në shpinë. Por sulmuesi nuk ishte paraqitur në takimin e aranzhuar dhe udhëtimi dështoi. FFK-ja nuk i ndali përpjekjet për të afruar atë në Përfaqësuese, por tashmë gjasat që Ademi ta veshë fanellën e Kosovës janë fare të vogla.
“Situata aktuale me Kemal Ademin është shumë e thjeshtë, së paku në bazë të asaj që është shfaqur në media. Ai e ka deklaruar veten plotësisht në dispozicion të selektorit të Zvicrës. Realisht është pak befasuese, sidomos në aspektin sportiv, sepse është e qartë që aspiratat e tij po shkojnë shumë larg realitetit sportiv. Po flasim për një lojtar 25-vjeçar që gjatë tërë karrierës e ka pasur vetëm një sezon relativisht të suksesshëm, atë te Baseli, kur në 26 ndeshje i ka shënuar 13 gola. Kurse nëse flasim për këtë sezon, kur ka kaluar më shumë se gjysma e tij, ai ka luajtur komplet rreth 240 minuta. Besoj që këto janë fakte të mjaftueshme që flasin për nivelin e këtij lojtari dhe gjasat reale të tij për të luajtur për Zvicrën. Prandaj, fatkeqësisht për të, mendoj se do t’i duhet të presë edhe shumë kohë derisa Petkoviq apo ndonjë selektor i Zvicrës të kujtohet për ta telefonuar”, ka thënë Bajram Shala, menaxher i Përfaqësueses A të Kosovës.
Në të kaluarën Kosovën e kanë zgjedhur lojtarë që në vendet ku janë zhvilluar nuk kanë depërtuar në Përfaqësuesen A. Ka pak përjashtime, si ai i Valon Berishës, që la Norvegjinë ku e kishte vendin e sigurt.
Përfaqësuesja është rritur dukshëm në vitet e fundit, por ende ka lojtarë që e shohin atë si rast rezervë, nëse nuk depërtojnë në përfaqësuese më të mëdha evropiane. E tillë është Zvicra, për shembull.
Shala nuk merret me rastet e së kaluarës, ndërsa thotë se rastet trajtohen veç e veç dhe se ato dallojnë.
“Qëndrimi i FFK-së është i qartë, jo vetëm për Ademin, por për të gjithë lojtarët që janë kandidatë për të luajtur për ekipet kombëtare. FFK-ja gjithmonë i ka pasur dyert e hapura për të gjithë lojtarët kosovarë, kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Mirëpo dyert janë të hapura bazuar në kriteret që ekzistojnë te ekipet kombëtare, siç janë cilësia dhe detaje të tjera që përcaktohen nga shtabet teknike përkatëse. Për ne si federatë ekziston një kriter esencial që duhet të përmbushet nga secili lojtar që vesh fanellën e Kosovës e ai kriter është që lojtari përkatës të ndiej fanellën, të ketë dëshirë dhe entuziazëm për të luajtur për Kosovën. Të ndiej Dardanët në tribuna dhe krenarinë e veshjes së fanellës së Kosovës. Nëse ndonjë lojtar, e në këtë rast Kemal Ademi nuk e ka këtë ndjenjë, atëherë besoj që ai nuk ka vend te Kosova dhe nuk i duhet Kosovës. Por përtej kësaj, edhe në aspektin sportiv mendoj se aktualisht Kosova ka disa lojtarë të atij pozicioni që janë në nivel goxha më të lartë se Ademi, qofshin ata lojtarë që luajnë tani për Kosovën apo lojtarë që mund të afrohen së shpejti te Kosova”, ka shtuar Shala.
Ademi është i lindur në Gjermani por si futbollist është zhvilluar në Zvicër, vend ku është rritur. Ka luajtur për St. Gallenin, Xamaxin e Baselin në Zvicër. Kishte një periudhë te Hoffenheim II në Gjermani. Te Xamaxi dhe te Baseli ka shfaqur vlera. Në qershor të vitit të kaluar Federata e Futbollit të Zvicrës mori dritën e gjelbër nga FIFA lidhur me të drejtën e sulmuesit që të paraqitet për helvetikët. Ishte kohë kur ai po shënonte gola. Por Ademi nuk u ftua asnjëherë nga Zvicra.
Së fundi ka dhënë një intervistë për sajtin “20min.ch” dhe ka theksuar se nuk ka marrë ndonjë ftesë zyrtare.
“Asnjë ftesë zyrtare nuk e kam pranuar. Kam folur me përgjegjësit në dy vendet (Zvicër e Kosovë) dhe tani po pres. Por nuk është se po ndiej presion. Aspak. Nëse ka ofertë, do të mendoj”, ka thënë Ademi.
Çka nëse Vladimit Petkoviq e thërret?
“Do të isha shumë i lumtur nëse ai më kontakton dhe thotë: ‘Kemal, më duhesh’. Kam folur me prindërit për vendimin. Trendi aktualisht po lëviz drejt Zvicrës. Por asgjë nuk është vendosur ende”, ka vazhduar Ademi.
Menaxheri i Përfaqësueses, Shala, nuk deklaron se dyert e Kosovës janë të mbyllura për Ademin, por e lë të kuptohet kjo.
“Kosova është gjithmonë e interesuar që t’i marrë të gjithë lojtarët që kanë gatishmëri dhe dëshirë për të luajtur për Kosovën. Por nuk ka aspak interesim të provojë të bindë me zor lojtarë që nuk kanë dëshirë e vullnet me Kosovën, sidomos lojtar të nivelit të Kemal Ademit”, ka thënë Shala.
Kosova në mars nis me ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2022. Priten emra të rinj në Përfaqësuese dhe largimi i ndonjë lojtarit. Por prej emrave të rinj përfundimisht nuk do të jetë ai i Ademit.