Sport

Sadiku i bashkohet Genoas

Mesfushori nga Kosova, Erion Sadiku do ta vazhdojë karrierën në Itali. Ai të hënën është zyrtarizuar te Genoa, ekip të cilit i është bashkuar nga Varbergsi i Suedisë. Sadiku 19-vjeçar me Genoan ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2023 me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Mirëpo, ai fillimisht do të angazhohet me ekipin e të rinjve përpara se të ftohet në ekipin e parë të Genoas që bën gara në Serie A.

“Fillimisht, do të jem pjesë e skuadrës Primavera dhe pastaj të inkuadrohem në ekipin e parë. Ky edhe është qëllimi për shkak se Genoa është ekip i njohur që promovon të rinjtë”, është shprehur Sadiku. Mesfushori prej vitit 2017 është promovuar në ekipin e parë të Varbergsit që garon në elitën e futbollit të Suedisë – Allsvenskan. Edicionin e shkuar, Sadiku ka shënuar dy gola në 25 ndeshje për Varbergsin.