Ylldren Ibrahimaj është zyrtarizuar te skuadra e re, FC Ural.
Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit rus. 25-vjeçari ka nënshkruar kontratë me klubin e elitës së futbollit të Rusisë deri në vitin 2024.
Ibrahimaj e ka nisur karrierën te klubi Arendal Fotball, për të vazhduar më pas te Mjondalen dhe Vikingu. Me skuadrën e fundit, është fitues i Kupës së Norvegjisë në vitin 2019-të, ndërsa në po të njëjtin vit, mori thirrje edhe nga Përfaqësuesja e Kosovës, por nuk e pati rastin të luajë.
Në vitin 2020, Ibrahimaj ishte aktiv në 26 ndeshje të ligës me Vikingun dhe shënoi 7 gola.
“Jam shumë i lumtur që jam transferuar tek Urali. Mezi pres që ndeshjet të fillojnë. E di se Premier League e Rusisë është ligë shumë e fortë, me ekipe të forta dhe lojtarë të mirë. Shpresoj që të mund të bëj gjëra të mira në këtë ligë”, ka thënë Ibrahimaj për faqen zyrtare të klubit.
Në Premier Leaguen ruse luan edhe reprezentuesi tjetër i Kosovës, Bernard Berisha, te skuadra Akhmat Grozny.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.