Eden Hazard, Joao Felix dhe Antoine Griezmann kushtojnë 346 milionë euro së bashku, por ata në ndeshjet e fundit të ekipeve të tyre u lanë në bankën e rezervistëve. Trajnerët e Real Madridit, Atletico Madridit dhe Barcelonës, për ndeshjet e kaluara në La Liga, vunë strategjinë e lojës para çmimit të lartë që u pagua për këta lojtarë.
Hazard - transferimi rekord i Real Madridit, për një dëmshpërblim prej 100 milionë eurosh - është rikuperuar nga lëndimet, por është lënë jashtë formacionit startues të Real Madridit në tri ndeshjet e fundit, përfshirë këtu edhe atë ndaj Celta Vigos, që madrilenët e fituan vikendin e shkuar me rezultatin 2:0.
Marco Asensio, i cili i kushtoi Madridit vetëm katër milionë euro në vitin 2014, startoi në pozitën e Hazardit dhe ndaj Celta Vigos ai e justifikoi plotësisht vendimin e trajnerit Zinedine Zidane, duke shënuar një gol dhe duke asistuar tjetrin. Trajneri francez tha që Hazardi duhet të rikthehet gradualisht si titullar te Real Madridi, për shkak të dëmtimeve të shpeshta që i ka pasur prej se është transferuar në “Santiago Bernabeu”, por nuk i garantoi minutazhë të mjaftueshme belgut për këtë sezon. Hazard në verën e vitit 2019 iu bashkua Realit nga Chelsea dhe deri më tash ka qenë titullar në vetëm 17 ndeshje në të gjitha garat.
“Duhet ta shohim situatën me Hazardin për shkak të telasheve që ka pasur. Ai mbetet një lojtar i rëndësishëm për ne, por për momentin Hazard do të inkuadrohet gradualisht në përbërjen e parë”, paralajmëroi Zidane.
Një ditë pas ndeshjes së Real Madridit, të gjithë mbetën të habitur kur Joao Felix, i përshtatur në mënyrë të përkryer, mbeti jashtë skuadrës së Atletico Madridit për ndeshjen në udhëtim ndaj Alavesit, me Angel Correan që kishte zënë vendin e tij. Sulmuesi 20-vjeçar hyri në pjesën e dytë dhe dëshmoi vlerën e tij pasi asistoi në golin e fitores që u shënua nga uruguaiani Luis Suarez.
“Ishte zgjedhja ime. Besoja se puna e madhe që bën Correa në krahun e djathtë do të na shërbente më mirë”, shpjegoi trajneri i Atleticos, Diego Simeone. “Ndeshjet zgjasin 90 minuta dhe kjo ishte pjesë e strategjisë sime. Joao hyri në lojë dhe u tregua efikas, kaq”.
Sensacioni portugez, i cili i kushtoi Atleticos hiq më pak se 126 milionë euro pas një sezoni fantastik me Benfican, shpesh është dukur si një përshtatje e çuditshme për Simeonen, i cili tenton të favorizojë më shumë punëtorët e zellshëm sesa lojtarët e talentuar. Trajneri argjentinas javë më parë bëri që Felix të reagojë i zemëruar kur e largoi Felixin nga ndeshje kundër Real Madridit. Sipas mediumeve spanjolle, marrëdhënia midis Simeones dhe Felixit nuk po duket të jetë aq e mirë, me trajnerin argjentinas që nuk po ka besim të madh në sulmuesin portugez. Felix është yll tek Atletico, por nëse vazhdon të mos ketë minutazhë të mjaftueshme, atëherë mund ta kërkojë largimin nga ekipi.
Felix iu bashkua Atleticos menjëherë pasi Antoine Griezmann u transferua në Barcelonë për 120 milionë euro dhe qëndrimi i vështirë i sulmuesit të Francës në Kataluni arriti pikën më të re të ulët kur ai u la në stol në fitoren e fundit ndaj Huescas (1:0). Griezmann në këtë ndeshje u inkuadrua në dhjetë minutat e fundit, por statusi i ulët i francezit te Barcelona u përmblodh kur trajneri Ronald Koeman tha se ai preferoi më shumë danezin Martin Braithwaite, një transferim emergjent nga Leganesi vitin e kaluar.
Griezmann kaloi si përforcim i madh te Barcelona, por ende nuk po dëshmohet i tillë. Dhe durimi i drejtuesve të klubit dhe tifozëve po zvogëlohet. \ Reuters