Në mesin e dy futbollistëve të St.Gallenit që kanë dalë të infektuar me koronavirus, është mbrojtësi i Kosovës, Betim Fazliji.
Reprezentuesi kosovar Fazliji doli pozitiv në testin për Covid-19, e bashkë me të edhe futbollisti tjetër i ekipit, Lukas Watkowiak, ka njoftuar klubi zviceran.
Që të dy do të jenë të izoluar për 10-të ditë.
Si rezultat i testeve pozitive tek ekipi i elitës së futbollit zviceran, është shtyrë edhe dueli kundër FC Zuerichut, i paraparë të luhej të dielën në orën 16:00. Kjo ndeshje e cila ende nuk dihet se kur do të zhvillohet, i ka takuar xhiros së nëntë të Superligës së Zvicrës.
Qendërmbrojtësi 21-vjeçar Fazliji, debutoi me Kosovën në miqësoren kundër Shqipërisë dhe luajti në gjithë ndeshjen. Nuk ishte pjesë e “dardanëve” kundër Sllovenisë e Moldavisë, për shkak të dokumentacionit.