Sport

Ballkani fiton dhe përforcohet në krye

Skuadra e Ballkanit u është kthyer fitoreve në Superligën e Kosovës në futboll. Pas barazimit në mesjavë ndaj Feronikelit, lideri i elitës së futbollit kosovar ka shënuar fitore në stadiumin “Bajram Aliu” në Skënderaj ndaj Drenicës me rezultat 2:1. Ishte edhe ndeshja e fundit e javës së 14-të në elitën e futbollit kosovar. Me këtë fitore Ballkani është forcuar në vendin e parë me 32 pikë. Dy golat e fitores për Ballkanin i shënuan Ermal Krasniqi (3’) dhe Mirlind Daku (29’), derisa për Drenicën golin e vetëm e realizoi Azem Bejta (89’). Për Dakun është goli i 19-të këtë edicion në Superligën e Kosovës.

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka thënë se atë që synuan edhe e morën – fitoren.

“Për neve objektivi ishte t’i marrim tri pikë. Kemi nevojë të ushtrojmë më shumë në fazën defansive, për atë në pjesën e dytë vendosem të luajmë më të mbyllur. Ishte rezultati 2:0 në favorin tonë, por kundërshtari na vuri në vështirësi. Drenica është skuadër shumë e mirë, por ne në fund e arritëm objektivin”, ka thënë Munishi.

Skuadra e udhëhequr nga Munishi qysh në fillim të ndeshjes arriti ta shënojë golin e epërsisë. Ishte Ermal Krasniqi që pranoi një top nga Edvin Kuq, fitoi një duel shpejtësie me mbrojtësin Valto Zeqaj dhe mposhti portierin Arion Ymeri. Për Krasniqin ishte goli i gjashtë këtë edicion.

Ballkani u tregua i rrezikshëm edhe në minutën e 14-të nëpërmjet Mirlind Dakut, gjuajtja e të cilit kaloi pranë shtyllës.

Por Daku nuk gaboi në minutën e 29-të. Ai shënoi një nga golat më të bukur të këtij edicioni. Gjuajtja e tij e fuqishme përfundoi fillimisht në shtyllën pingule dhe më pas u përplas në rrjetë. Për sulmuesin Daku ishte goli i 19-të këtë edicion.

Në fund të pjesës së parë Meriton Korenica doli në mundësi të mirë shënimi, por gjuajtja e tij me të majtën përfundoi afër pingules.

Ballkani edhe në pjesën e dytë nisi furishëm me dy mundësi. Arbër Prekazi qëlloi traversën në minutën e 60-të. Traversën e qëlloi në minutën e 80-të edhe sulmuesi Mevlan Zeka, ndërsa nga topi i kthyer nuk përfitoi edhe Ramiz Bytyqi.

Gjashtë minuta më vonë Drenica provoi nëpërmjet Hysen Tahirit të shënojë, por topi shkoi mbi portë. Drenica nuk e shfrytëzoi edhe gabimin e portierit Armend Ruxhi.

Krejt çka arriti të bëjë Drenica, ishte goli i vetëm i shënuar nga Azem Bejta në minutën e 89-të.

“Gjërat nuk shkuan mirë dhe për këtë unë marr përgjegjësitë i pari. Ne ia dhuruam fitoren kundërshtarit, ata nuk na i bënë golat, ne i bëmë vetë dhe për këtë më vjen shumë keq, pasi kemi pranuar gola cinike. Ne kemi luajtur futboll vetëm në 15 minutat e fundit të ndeshjes. Vumë në vështirësi Ballkanin dhe i realizuam gol. Po të kishim realizuar më herët, tani do të flisnim ndryshe pas ndeshjes”, ka thënë Devolli.