Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ardian Ismajli, është ndarë i kënaqur me debutimin te skuadra e Spezias. Ismajli të mërkurën luajti nga minuta e 79-të për Spezian që fitoi në udhëtim me rezultatin 2:0 ndaj Cittadellas, në kuadër të raundit të tretë të Kupës së Italisë.
Ismajli ka thënë se ka marrë vlerësim pozitiv, derisa pret të debutojë edhe në kampionatin elitar të Italisë, Serie A, transmeton KOHA.
Ismajli skuadrës së Spezias iu bashkua në fillim të muajit shtator nga skuadra e Hajdukut të Splitit. Sipas “dalmatinskiportal.hr”, Ismajli për shkak të problemeve me leje të punës është dashur ta prisja ndeshjen e Kupës së Italisë për ta realizuar debutimin.
“Është vetëm ndeshja ime e parë zyrtare për Spezian dhe sigurisht se jam i kënaqur me paraqitjen time. Është një fillim i mbarë për mua dhe pres me hapa të sigurt ta bëj edhe lëvizjen e radhës. Jam duke punuar maksimalisht në stërvitje dhe pres të paraqitem sa më shumë për klubin. Kam ardhur me synime të mëdha në këtë skuadër”, ka thënë Ismajli të enjten për KOHËN.
Qendërmbrojtësi 24-vjeçar u vlerësua lart për paraqitjen e tij. Ndryshe nga sajti kroat, trajneri Vincenzo Italiano thotë se debutimi i Ismajlit është vonuar shkaku i problemeve me koronavirus.