Sport

Dijon e Diant Ramaj, vëllezërit kosovarë të Gjermanisë

Descriptive Text

Gjermania U-20 pësoi 2:1 nga Danimarka U20, të enjten në miqësore. Te Gjermania u shqua me paraqitje portieri, që debutoi me këtë grupmoshë.

Bëhet fjalë për Diant Ramaj, supertalentin e portës, që është me prejardhje nga Kosova. Dianti është i lindur në Stuttgart të Gjermanisë. Po lëshon shtat dhe po piqet për portier të nivelit të lartë.

Me shtat, Dianti e ka kaluar vëllanë e madh Dijonin. Dijon Ramaj, po ashtu është futbollist. Është sulmues i krahut të djathtë. Dioni po ashtu është vlerësuar talent i madh i futbollit. Ka luajtur pesë ndeshje për U-17 të Gjermanisë, dhjetë për U-18 të Gjermanisë dhe një për U19 të Gjermanisë. Ka shënuar një gol për U-17 e dy për U-18.

Dijon Ramaj, 22-vjeçar, së fundi fanellën e Gjermanisë e ka veshur në vitin 2016. Në nivel senior nuk ka shpërthyer ende, por po punon për të shfaqur potencialin.

Aktualisht po luan për Aalenin në kategorinë e katërt gjermane. Dijoni është zhvilluar te Stuttgarti, por nuk depërtoi në ekipin e parë të këtij klubi të njohur.

“Dje kemi nisur kampionatin e ri dhe kemi fituar. Jam paraqitur mirë edhe personalisht. Unë kam luajtur për Stuttgartin, kam pasur kontratë profesionale, por më pas kisha probleme me një trajner dhe më është dashur të ndërroj ekip. Te Stuttgarti kam ushtruar me ekipin e parë dhe kam luajtur me ekipin e dytë. Por ndërkohë trajneri u ndërrua. Unë kisha pagë të lartë dhe ai mendoi që është më mirë të më largonte dhe me ato para të blinte lojtarë që i pëlqenin atij”, ka thënë Dijon Ramaj për KOHËN.

Ai ishte te akademia e Stuttgartit prej vitit 2012. Ka kaluar ekipet e grupmoshave dhe ka arritur te seniorët, përkatësisht tek ekipi i dytë. Një vit më parë u transferua te Aaleni.

Në ekipin e dytë të Stuttgartit ka luajtur 46 ndeshje dhe ka realizuar katër gola e shtatë asistime. 12 gola e tetë asistime i kishte te Stuttgarti U-19. Ndërkohë për Aalenin në kategorinë e katërt realizoi edicionin e kaluar katër gola e tri asistime.

“Kam pasur oferta, por kam vendosur të qëndroj edhe një vit te Aalenin. Këtu ndihem mirë, trajneri më do e po ashtu tifozët. Dua të shënoj edhe më shumë gola dhe të transferohem te ndonjë skuadër më e madhe. Unë i kam 22 vjet dhe kam ende karrierën para. Është fakt që në futboll po depërtojnë edhe me 18 e 19 vjet, por edhe 22 nuk janë shumë. Unë jam i bindur se do të kthehem sërish në nivel të lartë”, ka shtuar Dijon Ramaj.

Familja e tij është me prejardhje nga Gjakova. Edhe Dijoni është i lindur në Stuttgart.

Diant Ramaj është 18-vjeçar dhe i gjatë 1.89 centimetra. Ai ka dy paraqitje për U-18 të Gjermanisë e pesë të tjera te U-19 e Gjermanisë. Tani është pjesë e U-20.

Dianti është rritur te skuadrat Stuttgart dhe Stuttgarter Kickers. Prej vitit të kaluar është te Heidenheimi. Kjo skuadër garon në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Madje ishte pranë promovimit në Bundelsigë, por dështoi në plejof ndaj Werderit.

Në edicionin e kaluar portieri Diant Ramaj luajti 19 ndeshje për ekipin U-19 të Heidenheimit. Një herë u grumbullua me ekipin e parë.

“Dianti ka nisur si lojtar dhe ishte shumë i mirë si fëmijë. Por vendosi të qëndronte në portë dhe më pas vazhdoi si portier. Është i gjatë gati 1.90 centimetra dhe po i ec shumë mirë. I ka punët më mirë sesa që i kisha unë në moshën e tij. Po luan për U-20 të Gjermanisë, që është sukses shumë i madh. Paraqitja për Gjermaninë natyrisht se hap shumë rrugë në karrierë. Është ndryshe kur luan për Gjermaninë, ka shumë përparësi”, ka treguar Dijon Ramaj për vëllanë e tij më të vogël.

“Diantin e kanë kërkuar skuadra të mëdha të Gjermanisë. Por vendosi për Heidenheimin dhe ka vepruar shumë mirë. Tashmë është portieri i dytë në skuadrën seniore. Trajneri i ka thënë se është i ri, porse potencialin e ka të jashtëzakonshëm. Trajneri i ka thënë se mund të debutojë këtë edicion në Bundesliga 2. Për të gjërat po ecin shumë mirë, shpresoj të vazhdojë kështu”, ka thënë Ramaj.

Dianti e ka përkrahjen e plotë të Dijonit. Këshillat e tij janë natyrisht shumë të vlefshme, sidomos për kalim të suksesshëm nga të rinjtë në ekipin senior.