Sport

Arteta pritet t’i ofrojë kontratë të re Mustafit

Mikel Arteta ka lënë të kuptohet se dëshiron që Shkodran Mustafi të nënshkruajë kontratë të re. Por trajneri i Arsenalit, Arteta, ka thënë se e ardhmja e mbrojtësit është në duart e drejtuesve të klubit.

Në vitet e fundit Mustafi është kritikuar ashpër për shkak të gabimeve të shumta. Është pritur një largim i tij nga Arsenali këtë verë. Ish-trajneri Unai Emery kishte thënë se për Mustafin është më mirë që të vazhdojë karrierën te ndonjë skuadër tjetër.

Por Mustafi ka qëndruar dhe ka fituar besimin e Artetas. Ish-reprezentuesi i Gjermanisë ka startuar në 15 prej 17 ndeshjeve të fundit të Arsenalit. Ka ndihmuar skuadrën që të mbyllë gjashtë ndeshje pa pranuar gol.

Për largimin e Mustafit tashmë nuk diskutohet. Po diskutohet për një kontratë të re për të. Ai ka edhe një vit kontratë me klubin londinez.

“Është diçka që klubi duhet të adresojë, por ai e di mendimin tim”, ka thënë Arteta.

“Ashtu si e shihni unë jam shumë i lumtur me të. Jam i kënaqur me mënyrën se si luan ai, si është i përkushtuar. Ai është në çdo gjë që bëjmë ne, niveli i paraqitjes së tij çdo tri apo katër ditë është i lartë. Ai ka qenë vërtetë konsistent”, ka shtuar Arteta.