Sport

Gastaldello kundër vazhdimit të stinorit në Serie A

Descriptive Text

Mbrojtësi i Brescias, Daniele Gastaldello, thotë se zgjedhja më e mirë është të anulohet stinori në Serie A e mos të detyrohen lojtarët të rikthehen në fushë. Ai thotë se këtë preferon, edhe nëse nënkupton largimin në Serie B të skuadrës së tij.

Gastaldello thotë se rreziku është tepër i lartë për lojtarët e përfshirë dhe po ashtu kushtet nuk do të jenë të duhura për futboll gjatë verës italiane.

“Unë mbetem prapa idesë, detyrimi i përfundimit të kampionatit po rrezikon lojtarët. Të luash aq shumë ndeshje në temperatura të larta nuk është e lehtë. Të luash në ora 17:30 është skandaloze”, ka thënë Gastaldello 36-vjeçar për “Radio Anch’io Sport”.

Ai po ashtu është kundër idesë së plejofit.

“Unë nuk pajtohem, pasi do të ndryshoheshin rregulloret. Shumë sporte kanë ndaluar, ne rrezikojmë të shkatërrojmë stinorin e ardhshëm. Në fund të stinorit të ardhshëm do të ketë një Kampionat Evropian. Ka shumë rrezik, ne nuk jemi makina. Kemi pushuar më tepër se dy muaj. Nuk është si në pushime të verës, pasi në atë periudhë ne ushtrojmë për një muaj e gjysmë pas një pushimi njëmujor. Këtu rrezikon lëndime të mëdha”, ka thënë kapiteni, që ka insistuar se duhet të jetë prioritet shëndeti para sportit.