Sport

Tre vjetët pa kampion dhe edicioni me dy kampionë

Prishtina e ka fituar titullin e parë të kampionit të Kosovës në basketboll, pas pavarësimit të sportit kosovar.

Prishtina doli e para në edicionin 1991\92. Skuadra prishtinase ka fituar shumicën e titujve prej atëherë, por historia e basketbollit kosovar në tri dekadat e fundit përfshinë edhe vjetët kur nuk është shpallur fare kampioni, raporton Koha.net.

Federata e Basketbollit të Kosovës të martën vendosi që të anulojë garat në Superligën e Kosovës në konkurrencë të meshkujve dhe të femrave. Me vendim të Bordit të FBK-së, nuk do të shpallen kampionët e këtij edicioni. Ndërkohë për garat tjera do të merret një vendim gjatë prillit, nëse do të vazhdojnë apo jo.

Kështu Prishtina do të mund të llogaritet gjatë dy vjetëve kampione në fuqi. Ajo ka fituar titullin në edicionin 2018\19, ndërsa kampion tjetër nuk do të ketë deri në vitin 2021.

Viti 1999 ishte i fundit në të cilin Kosova nuk kishte kampion. Për shkak të luftës, edicioni 1998\99 nuk filloi fare. Menjëherë pas luftës, në vjeshtë të 1999-tës, filloj edicioni i basketbollit dhe në vitin 2000 Trepça e fitoj titullin e parë të pasluftës.

Ndërkohë edicioni 1997\98 ishte ndërprerë. Në vitin 1998 nisi lufta në vend dhe aktiviteti sportiv, që zhvillohej me shumë vështirësi, u ndërpre.

“Pas fillimit të luftës në Kosovë, pasojat u ndien edhe në basketboll. Kësisoj kampionati u ndërpre në janar të vitit 1998”, shkruan në historinë e basketbollit kosovar, të publikuar në faqen zyrtare të FBK-së.

Ndërkohë historia e basketbollit kosovar njeh edhe një edicion kur janë shpallur dy kampionë. Për shkak të mosmarrëveshjeve me drejtuesit e atëhershëm të FBK-së, klubet elitare në edicionin 2003\04 kishin organizuar ligën e tyre. Liga ishte quajtur LPBK (Liga Profesionale e Basketbollit Kosovar).

Në atë ligë titullin e kampionit e fitoi Dukagjini i Pejës. Ndërkohë në Superligën e Kosovës, ku në fakt mbetën skuadrat e kategorisë së dytë, titullin e fitoi Kastrioti i Ferizajt. Edicioni 2003\04, përkatësisht ai i LPBK-së, vlerësohet më cilësori në histori të basketbollit kosovar.

FBK-ja në faqen zyrtare, ku janë paraqitur kampionët, si kampion të atij edicioni e njeh Kastriotin. Ndërkohë e ka cekur se Dukagjini fitoi titullin në LPBK.

Vendimi për të anuluar edicionin dhe për të mos shpallur kampionin, është përkrahur nga klubet e Superligës. Vendimin e ka përkrahur edhe Sigal Prishtina që ishte e para kur u anulua kampionati për shkak të përhapjes së koronavirusit. Në disa vende evropiane skuadrat që ishin në vend të parë janë shpallur kampionë.

Prishtina këtë edicion ka pasur konkurrencë shumë të madhe dhe është pritur garë e fortë për titull të kampionit. Madje, nga disa, Prishtina nuk është vlerësuar pretendente kryesore.

“Edhe pse në shumë vende të Evropës ekipi që gjendet në pozitën e parë në tabelë është shpallur kampion, Sigal Prishtina është kundër një praktike të tillë dhe vlerëson se është vendim i drejtë që kampionati të përfundojë pa fitues. Ne e vlerësojmë se trofetë, titujt dhe kupat fitohen në parket ashtu siç i kemi fituar të gjitha deri më sot, vite me radhë”, shkruan në komunikatën e Sigal Prishtinës.

Kampionët e Kosovës në basketboll, pas pavarësimit të sportit

1991-92 Prishtina

1992-93 Trepça

1993-94 Peja

1994-95 Peja

1995-96 Peja

1996-97 Drita

_

1999-2000 Trepça

2000-01 Trepça

2001-02 Prishtina

2002-03 MEB Prishtina

2003-04 Kastrioti (LPBK Dukagjini)

2004-05 Mabetex

2005-06 Sigal Prishtina

2006-07 Sigal Prishtina

2007-08 Sigal Prishtina

2008-09 Sigal Prishtina

2009-10 Sigal Prishtina

2010-11 Sigal Prishtina

2011-12 Trepça

2012-13 Peja

2013-14 Sigal Prishtina

2014-15 Sigal Prishtina

2015-16 Sigal Prishtina

2016-17 Sigal Prishtina

2017-18 Bashkimi

2018-19 Z Mobile Prishtina