Sport

Edhe Bashkimi e Ponte Prizreni kanë vendosur të lirojnë basketbollistët e huaj

Foto: KB Ponte Prizreni
 

Ponte Prizreni të hënën ka njoftuar në rrjetet sociale se ka liruar pesë basketbollistët amerikanë dhe ka bërë kërkesë nga Federata e Basketbollit të Kosovës që të vazhdohet kampionati.

“Pas situatës jo të mirë në vendin tonë me paraqitjen e COVID-19, skuadra jonë ka liruar pesë amerikanës pasi që jeta e shëndeti është mbi sportin dhe ata lojtarë në këto momente duhet të jenë pranë familjarëve. Klubi jonë po ashtu sugjeron krerët e FBK-së që të vazhdohet kampionati, pasi do të ishte mëkat nëse ndodh e kundërta. Pa prezencë publiku, para dhe pas përfundimit të ndeshjes të bëhet kontrollimi i lojtarëve nga mjekët dhe dezinfektimi i gjitha palestrave që operojnë në Kosovë. Në këtë mënyrë nuk ka ndonjë rrezik. Në shtetin fqinj Serbi, numri i të infektuarve ka kaluar shifrën e 35 dhe liga e basketbollit po vazhdon atje”, është thënë në komunikatë të Pontes. “Mos të hidhen në baltë investimet e klubeve, pasi është një goditje për sponsorët e klubeve pa të cilët nuk do të ishin këtu. Ne qëndrojmë pro vazhdimit të kampionatit, por pa cenuar shëndetin e sportistëve dhe njerëzve rreth klubit. Skuadra jonë do të vazhdojë ndeshjet me lojtarë vendorë”.