Sport

Muriqi mohon të jetë ndëshkuar qëllimisht me karton të kuq

Descriptive Text

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, ka mohuar se është ndëshkuar qëllimisht me dy kartonë të verdhë të shtunën në fitoren 2:0 që Fenerbahçe e shënoi në udhëtim ndaj Gaziantesporit në kampionatin turk.

Muriqi mori kartonin e parë të verdhë në minutën e 80-të dhe të dytin në minutën e 95-të.

Siç është raportuar në mediumet turke, me kartonin e kuq, ai do të jetë i suspenduar në ndeshjen e kupës, por do të jetë në dispozicion në ligë ndaj Istanbul Bashakshehirit. Por, në rast se do të mbetej me karton të verdhë atëherë do të ishte i suspenduar në ndeshjen ndaj Bashakshehirit. Muriqi ndaj Gaziantepit shënoi një gol dhe asistoi një tjetër, shkruan Koha Ditore.

“Ishte me rëndësi për mua dhe bashkëlojtarët që të triumfojmë. Synimi ynë i vetëm është kampionati. Ne koncentrohemi vetëm në fushë. Nuk e kemi mendjen diku tjetër. Unë jam i vetëdijshëm për raportimet për kartonin që e mora gjatë ndeshjes. Në fakt, nuk ka nevojë të flas për këtë. Kur luajmë në fushë ne mendojmë vetëm për të fituar ndeshjen. Po të planifikoja të merrja karton, atëherë kur shënova kam mundur të heq fanellën. Ne jemi të koncentruar për të fituar titullin e kampionit dhe do të arrijmë këtë me tifozët tanë”, ka thënë Muriqi për faqen zyrtare të klubit.