Sport

Setien do ta udhëheqë klubin që gjithmonë e ka adhuruar

Para ndeshjes kundër Barcelonës në “Camp Nou” para më shumë se një viti, atëbotë si trajner i Real Betisit, Quique Setien, ia kishte kërkuar mesfushorit Sergio Busquets fanellën. Setien i kishte thënë Busquetsit që në fanellë të shkruajë një dedikim për të, në mënyrë që ta fuste në kornizë.

Busquets kishte pranuar me kënaqësi, duke ia dërguar më vonë Setienit një fanellë të autorizuar me mesazhin: “Për Quiquen, me dashuri dhe admirim për mënyrën sesi e sheh futbollin. Të gjitha të mirat”, shkruan sot Koha Ditore.

Real Betisi e kishte fituar ndeshjen 4:3 në nëntor të vitit 2018 dhe mbetet ekipi i fundit që ka mposhtur Barcelonën në “Camp Nou”.

Pas 14 muajve, Setien të martën është kthyer në stadiumin e famshëm, por këtë herë për t’u prezantuar si trajner i Barcelonës, klub që për një kohë të gjatë kishte inspiruar vizionin e tij për futbollin. Setien ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2022 dhe në postin e trajnerit ka zëvendësuar Ernesto Valverden e shkarkuar të hënën mbrëma.

Setien ,61-vjeçar, vazhdimisht përpiqej që skuadrat e tij të imitonin stilin e lojës së Barcelonës me posedim të topit dhe lojë sulmuese. Por tash një gjë të tillë Setien do ta bëjë te klubi katalonjas.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)