Gëzueshëm, dhe me të vërtetë, triumfues. Stadiumi “King Power” ishte një vend i egër për kampionët botërorë të Liverpoolit, që të enjten e vizituan, shkruan sot Koha Ditore.
Në të shumtën e rasteve, stadiumet e reja mund të jenë vende fatale për ekipet lidere, duke pasur parasysh se Leicester City deri para duelit me Liverpoolin ishte i pamposhtur këtë edicion në shtëpi. Megjithatë, makineria e kuqe e Liverpoolit ishte e papërmbajtshme për ish-kampionin e Anglisë, me një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme dhe vendimtare të Trent Alexander-Arnoldit.
Çdo javë ekipet e Premier Leagues duket se po bëjnë gabimin e njëjtë me mbrojtjen e Liverpoolit. Numri 66 i Liverpoolit thuhet se luan në krahun e djathtë të mbrojtjes, por në realitet ai vetëm në formacion figuron ashtu. Alexander-Arnold, 21-vjeçar, ka ridefinuar rolin e tij dhe trajneri Juergen Klopp duke pasur parasysh talentin e jashtëzakonshëm, ka kërkuar nga ai që më shumë të jetë plejmejker për të krijuar raste për bashkëlojtarët.
Alexander-Arnold asistoi në dy gola, si dhe shënoi golin e fundit për Liverpoolin, që triumfoi 4:0 ndaj Leicesterit për t’u forcuar në krye të tabelës. Krahas këtij kontributi në këtë fitore të rëndësishme, Alexander-Arnold herë pas here dukej i pandalshëm për ekipin kundërshtar. Në fakt, ai është një lojtar i jashtëzakonshëm në shumë mënyra, një mbrojtës i krahut të djathtë që vepron vazhdimisht si plejmejker dhe ndihmon shumë në krijimin e rasteve. Këtë e konfirmon edhe trajneri i Liverpoolit, gjermani Juergen Klopp.
“Jemi me fat që e kemi një lojtar si Trentin, i cili operon pothuajse në tërë fushën dhe ka liri të plotë për ta ndihmuar ekipin në krijimin e rasteve. Në realitet, ai po del si arma sekrete e ekipit tonë dhe kontributi i tij, në çdo ndeshje është shumë i madh”, është shprehur Klopp. “Fitorja ndaj Leicesterit ishte e gjitha në regjinë e Trentit që pati një paraqitje të jashtëzakonshme, sikur në çdo ndeshje që e ka luajtur deri më tash”.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën “Koha Ditore”)