Charles Leclerc ka firmosur kontratë të re pesëvjeçare me Ferrarin të vlefshme deri në vitin 2024.
Vazhdimi i kontratës i ka pasuar një stinori të parë impresiv me skuderinë italiane në Formula 1, ku e kishte zëvendësuar finlandezin Kimi Raikkonen. Garuesi 22-vjeçar nga Monaco fitoi dy gara rresht në Belgjikë dhe Itali e po ashtu edhe shtatë gara kualifikuese.
Leclerc doli i katërti në renditjen individuale të Formula 1, para kampionit të pesëfishtë gjermanit Sebastian Vettel, që po ashtu është pjesë e Ferrarit. Leclerc ishte para Vettelit në çdo aspekt në vitin 2019. Leclerc kishte më tepër fitore, më tepër gara kualifikuese të fituara dhe më tepër pikë se Vetteli.
“Me çdo garë të kaluar këtë stinor dëshira jonë ishte të vazhdonim kontratën me Charlesin. Ai tash do të jetë pesë stinorët e ardhshëm me ne. Ne jemi shumë të lumtur që ai do të jetë edhe për shumë vite me ne dhe jam i sigurt se së bashku do të shënojmë faqe të reja në historinë e skuderisë”, ka thënë kreu i skuderisë së Ferrarit, Mattia Binotto.
Leclerc në Twitter ka shprehur kënaqësinë për vazhdimin e kontratës.
“Jam shumë falënderues që jam pjesë e një skuderie me përmasë të tillë. Kam mësuar aq shumë gjatë këtij viti të parë. Është një pikë e madhe startuese për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë për vitet në vijim”, ka shkruar piloti nga Monaco.
Leclerc iu bashkua Akademisë së Pilotëve të Ferrarit në vitin 2016 dhe debutoi në Formula 1 me skuderinë Ssauber në vitin 2018, duke e përfunduar stinorin në pozitën e 13-të me 39 pikë të fituara në 21 gara. Ai më pas u ngrit te skuderia e Ferrarit ku u dëshmua.
Kontrata e re konfirmon se Ferrari ka besim të madh në të. Ferrari e kishte vendosur atë në vend të Raikkonenit, pasi pa potencial të madh në të. Ai po pritet të jetë një nga pilotët pretendent për titull në vitet e ardhshme.
Ai nisi këtë stinor si numër dy te Ferrari prapa Vettelit, por e fitoi përballjen direkte me gjermanin.
Ai ka mundur të fitonte më tepër gara po të përcjellte fati në disa prej tyre.
Leclerc do të jetë një nga pretendentët për titull stinorin e ardhshëm, karshi kampionit në fuqi Lewis Hamiltonit të Mercedesit, Max Verstappenit të Red Bullit e Valtteri Bottasit të Mercedesit.