Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka krahasuar yllin e Liverpoolit, Mohamed Salah, me atë të Barcelonës Lionel Messi, teksa e ka quajtur egjiptianin një futbollist të kompletuar.
Salah asistoi në golin e Naby Keitas ndaj Monterreyt në Kupën e Botës për Klube në fitoren 2 me 1 të mërkurën, duke çuar në 13 gola e shtatë asistime statistikat e tij të deritashme në 23 ndeshje në të gjitha garat në këtë sezon.
Wengeri është shprehur i impresionuar me aftësitë e lojtarit për të shënuar gol dhe për të asistuar.
“Më pëlqen zhvillimi i tij. Sepse ka pasur prekje sikur të një organizatori të lojës. Ai krijoi shanse rreth zonës që janë të jashtëzakonshme, kishte hije të Messit në të mbrëmë dhe më pëlqen që një futbollist i cili mund të shënojë aq shumë gola, bëhet edhe lojtar që asiston. Kjo e bën atë futbollist të kompletuar. Për këtë të gjithë e admirojmë dhe këtë e duam nga lojtarët”, ka thënë ai për “beIN Sports”.
Liverpooli do të luajë të shtunën me Flamengon në finalen e Kupës së Botës për Klube.