Sport

Ajeti nëse largohet nga West Hami duhet ta lërë Evropën

Sulmuesi Albian Ajeti do të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit nga skuadra angleze West Ham United, por ka mbetur peng i opsioneve të limituara. Mediumet angleze kanë raportuar të enjten se Ajeti është pajtuar të largohet nga West Hami dhe të huazohet diku për shkak të minutazhit të limituar këtë edicion.

Sulmuesi 22-vjeçar nuk ka arritur të përshtatet tek ekipi anglez dhe drejtuesit e klubit duan ta huazojnë të paktën deri në fund të këtij edicioni. Por, Ajeti nuk mund të huazohet në asnjë ekip të Evropës për shkak të rregullores së UEFA-s, dhe opsion i tij mbeten SHBA-ja, Japonia, Kina dhe Amerika e Jugut. Bazuar në rregulloren e UEFA-s, një futbollist nuk mund të luajë për tri skuadra evropiane brenda një edicioni, kurse Ajeti deri më tash ka luajtur për dy. Ai e nisi edicionin te Baseli për t’u transferuar te West Hami, ekip për të cilin deri më tani ka shtatë paraqitje në të gjitha garat, shkruan sot Koha Ditore.

Ajeti para se t’i bashkohej West Hamit për 8.7 milionë euro dëmshpërblim, regjistroi edhe tri paraqitje me Baselin duke shënuar dy gola dhe asistuar po aq herë. Sulmuesi i Përfaqësueses së Zvicrës ka kontratë me West Hamin deri në vitin 2023, me mundësi vazhdimi edhe për dy vjet të tjerë. Ai te ekipi anglez nuk ka arritur të dëshmojë veten, duke bërë që hapësira e tij të jetë e kufizuar.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)