FFK-ja “forcon” shkarkimin me përjashtim, Ahmeti e quan qesharak vendimin

FFK-ja “forcon” shkarkimin me përjashtim, Ahmeti e quan qesharak vendimin

18 December 2019 08:38

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka konsideruar çështje të mbyllur, por FFK-ja vazhdon të merret me Arianit Ahmetin, ish-zëvendëssekretarin e përgjithshëm të saj. Të martën në sajtin e FFK-së është publikuar njoftimi për një vendim të Komisionit Disiplinor, që, sipas njoftimit, ka mbajtur mbledhje të hënën. Disiplinori ka vendosur për masën “përjashtim nga organizata e futbollit” për Arianit Ahmetin.

Ahmeti nuk e ka pranuar vendimin e Disiplinorit, por ky vendim i publikuar të martën vlerësohet dëshmi se qetësia në Federatën më të madhe sportive në vend nuk është kthyer. Ahmeti më herët ka thënë se do të kandidojë për kryetar të FFK-së dhe se ka përkrahjen e shumicës së kuvendarëve. Ai pretendon se Agim Ademi, kryetar aktual i FFK-së, vetëm ka vazhduar mandatin e mbetur në gjysmë pas vdekjes së Fadil Vokrrit, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkohë Ademi dhe Komiteti Ekzekutiv që ai drejton vlerësojnë se mandati i tij është i plotë dhe i vlefshëm deri në vitin 2022. Sipas Arianit Ahmetit, Kuvendi i rregullt zgjedhor i FFK-së duhet të mbahet më 15 janar të vitit 2020, katër vjet pas zgjedhjes së fundit të Vokrrit në krye të Federatës. Ka pasur shumë akuza e debate për situatën në FFK, ndërsa janë përfshirë edhe palë të tjera, duke përfshirë FIFA-n, UEFA-n, por edhe organe drejtuese të vendit.

Më 4 dhjetor Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mori vendimin që të shkarkojë Ahmetin “për shkelje flagrante”. Më 9 dhjetor Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e konsideroi të mbyllur çështjen e mandatit të Ademit, duke njoftuar se vitin tjetër do të mbahen zgjedhje vetëm për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Dhe tani Komisioni Disiplinor doli me vendim për të përjashtuar Arianit Ahmetin nga organizata e futbollit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme