Sport

Futbollistët Avdyli një hap larg Osijekut

Juniorët e Trepçës ’89, Milot dhe Leart Avdyli, karrierën pritet ta vazhdojnë në Kroaci, te skuadra e Osijekut.

Në fakt, futbollistët në fjalë tashmë kanë arritur marrëveshje me Osijekun, por ekipit kroat nuk do t’i bashkohen deri në vitin e ardhshëm kur edhe do të mbushin 18 vjet.

Miloti, që është mesfushor dhe Learti mbrojtës, në fillim të kësaj jave i janë bashkuar në prova për herën e katërt Osijekut dhe me paraqitjet e tyre kanë bindur drejtuesit e klubit kroat.

Megjithatë, deri në vitin e ardhshëm, që të dy do të kthehen te Trepça ’89 përpara se të vazhdojnë karrierën në Kroaci, raporton Koha Ditore.

“Miloti dhe Learti tashmë kanë bindur Osijekun dhe vitin tjetër do të transferohen përfundimisht kur edhe do t’i firmosin kontratat. Bëhet fjalë për lojtarë jashtëzakonisht të talentuar, prej të cilëve pritet shumë në të ardhmen”, ka thënë trajneri i juniorëve të Trepçës ’89, Seid Onbashi.