Sport

Dortmundi ndaj Interit synon hapin e madh drejt fazës nokaut

Borussia Dortmundi do të kërkojë fitoren ndaj Interit të martën mbrëma, për të bërë hapin e madh drejt fazën nokaut të Ligës së Kampionëve. Skuadrat janë duke luftuar për pozitën e dytë në Grupin F, ndërsa pas tri ndeshjeve kanë nga katër pikë. Grupin e kryeson Barcelona me shtatë pikë. Në xhiron e kaluar Interi triumfoi në shtëpi ndaj Dortmundit me shifrat 2:0.

“Duhet të përgatitemi për çdo rast. Na duhet një përformancë shumë e mirë për të fituar dhe jemi në dijeni për këtë. Duhet të sulmojmë mirë dhe të mbrohemi mirë, pasi Interi është shumë i shpejtë në kundërsulme. Luan futboll të mirë, me kundërsulme të mira dhe krosime të rrezikshme”, ka deklaruar trajneri i Dortmundit, Lucien Favre. “Nuk mund të them nëse do të luajmë me tre mbrojtës, pasi nuk e kam vendosur ende sistemin me të cilin do të luaj”, shkruan sot Koha Ditore.

Të dy skuadrat në ndeshjen e mesjavës futen pas fitoreve të shënuara në kampionat, në fundjavë. Derisa Dortmundi triumfoi bindshëm me shifrat 3:0 në shtëpi ndaj Wolfsburgut, Interi pati një punë më të vështirë, duke fituar vetëm në çastet e fundit ndaj Bolognas. Interi është duke sfiduar seriozisht Juventustin për titull të Serie A. Pas 11 xhirove mban vendin e dytë me 28 pikë, vetëm një prapa Juventusit. Dortmundi po ashtu zë vendin e dytë në Bundesligë me 19 pikë, tri pikë disavantazh ndaj Borussia Moenchengladbachut.

“Ne kemi synim të fitojmë ndeshjen, nuk ka opsion tjetër”, ka thënë mesfushori i Dortmundit, Julian Brandt. “Ne marrim shtytje kur luajmë në shtëpi. Ne jemi Borussia Dortmund dhe kemi mposhtur skuadra shumë të mira në shtëpi dhe jemi optimistë”.

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)