Sulmi i kampionit të Francës, Paris Sanit-Germain, po funksionon aq mirë, saqë mungesa e lojtarit më të shtrenjtë në botë dhe golashënuesit më të mirë në histori të klubit nuk po vërehet fare. PSG-ja e ka nisur furishëm këtë edicion, pasi prin në Ligue 1 dhe në Ligën e Kampionëve ka tubuar pikë maksimale në tri ndeshje të zhvilluara të fazës grupore.
Mirëpo, trajneri Thomas Tuchel do të ketë telashe të mëdha sa i përket përzgjedhjes së formacionit kur të kthehen nga lëndimet sulmuesit Neymar e Edinson Cavani, të cilët do të luftojnë për një vend titullari. Dikush prej titullarëve aktualë duhet të lirojë vend për njërin apo që të dy – Neymar e Cavani – por për momentin është vështirë të paramendohet një gjë e tillë, shkruan sot Koha Ditore.
Neymar i ka kushtuar klubit 222 milionë euro për ta transferuar para dy vjetësh nga Barcelona dhe ka vendosur të mbetet pjesë e PSG-së, megjithëse gjatë verës kërkoi kthimin në “Camp Nou”. Përpara se të lëndohet duke luajtur për Brazilin (13 tetor), Neymar kishte shënuar katër gola për PSG-në në kampionat dhe dukej në formën e tij më të mirë të mundshme. Ai pritet që t’i bashkohet ekipit në stërvitjet e përbashkëta më së largu pas një jave.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)