Federata e Futbollit të Kosovës ka rritur të integrojë të gjitha klubet e futbollit të komuniteteve pakicë në garat që organizohen nën ombrellën e saj, përveç klubeve të komunitetit serb, konfirmojnë zyrtarët e kësaj federate.
Me gjithë përpjekjet dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjitha klubet, përfshirë edhe ato të komunitetit serb që jeton në Kosovë, siç thonë zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, edhe ato pak klube që dikur ishin pjesë e garave vendore, janë tërhequr për shkak të kushtëzimeve dhe shantazheve nga politika.
Eroll Salihu, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht, asnjë klub i futbollit nga komuniteti serb nuk merr pjesë në gara në ligat e Kosovës. Më herët, sipas tij, kjo federatë kishte arritur të përfshijë në gara dy klube nga ky komunitet, por që më pas, politika e Beogradit, kishin arritur të ndikojë në ato klube që të largohen nga këto gara.
“Janë tërhequr para 6 apo 7 vjetëve, me presionin e madh që u është bërë nga politika serbe. Po e potencoj edhe një rast që, së bashku me presidentin e ndjerë (Fadil) Vokrri, patëm pranuar një ekip të femrave të Graçanicës. Kanë pasur fushën dhe u kemi ndihmuar me pajisje sportive, me topa, me të gjitha. Por, një javë para se të fillojnë, atyre u shkoi një vendim që nëse luajnë në këtë ligë, do të largohen nga puna, nga Komuna e Graçanicës. Kështu që edhe ai projekt ka dështuar. Pra, ekziston vullneti i komunitetit serb që të bëjë gara, por, thjeshtë, politika serbe nuk i lejon”, tha Salihu.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë.