Tri shënimet e para të edicionit 2019/20 në NBA për Memphis Grizzlies ishin vetëm dëshmi se për çfarë arsye ekipi më çdo kusht e dëshironte basketbollistin Ja Morant. Ishte pikërisht Morant, ai që realizoi këto shënime për Memphisin në ndeshjen e parë të këtij edicioni.
Morant ishte zgjedhja e dytë në draftin e këtij viti dhe karrierën e tij në NBA e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u treguar lojtar i rëndësishëm për Memphisin.
Pavarësisht se Morant pati një debutim impresiv me 14 pikë, katër kërcime dhe katër asistime për 25 minuta lojë, Memphisi sezonin e ri e nisi me humbje. U mposht nga Miami me rezultatin 120:101. E Morant nuk ishte "rookie" i vetëm që impresionoi në debutim, pasi edhe disa të tjerë u dëshmuan se janë e ardhmja e skuadrave të tyre.
"Unë jam këtu vetëm për ta bërë punën time dhe dua që me paraqitje të mira t'ia shpaguaj besimin ekipit. Më vjen keq që nuk startuam me fitore, por jam optimist se do t'i kthehemi ritmit fitues prej ndeshjes tjetër", shtoi Morant. "Këtë edicion vetëm do të mundohem të përmirësohem nga ndeshja në ndeshje dhe shpresoj ta ndihmoj sa më shumë që të jetë e mundur ekipin".
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")