Përzgjedhësja e Kosovës në futbollin e femrave, Afërdita Fazlija, në prag të ndeshjes ndaj Turqisë ka thënë se Kosova është rritur shumë që nga përballja e fundit ndërmjet këtyre dy kombëtareve, derisa ka paralajmëruar lojë sulmuese nga ekipi i saj.
Të premten, nga ora 20:00, Kosova e pret në “Fadil Vokrri” kombëtaren e Turqisë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021 në konkurrencën e femrave.
“Sa i përket kundërshtarit ne kemi informata. Para dy vitesh kemi pas miqësore me Turqinë ku kemi humb 4 me 2. Do të jetë një ndeshje cilësore prej dy kombëtareve. Ne jemi rritur në këto dy vjet sa kanë kaluar nga ajo ndeshje. 11 lojtare janë nga Kampionati i Kosovës, kurse të tjerat nga shtetet e ndryshme evropiane ku luajnë për klubet e tyre”, ka thënë Fazlija në konferencë për media, raporton KTV.
Ajo ka konfirmuar se Kombëtarja e Kosovës do të jetë pa Edona Kryeziun që është e lënduar.
Tutje Fazlija ka thënë se skuadra do të japë maksimumin që të arrijë rezultat pozitiv, derisa ka theksuar se do të luajnë lojë sulmuese.
“Nuk do të mbrohemi, do të luajmë lojë sulmuese. Kombëtarja A e Kosovës, U21 e U19 na kanë motivuar që edhe ne të kërkojmë rezultate pozitive. Do të japim më të mirën që të arrijmë rezultat pozitiv. Arma jonë më e fortë është mesfusha”, është shprehur Fazlija.
FFK-ja ka konfirmuar se hyrja për tifozë në këtë ndeshje do të jetë falas.