Sanchez, një futbollist model në fushë dhe jashtë saj

Sanchez, një futbollist model në fushë dhe jashtë saj

13 August 2019 11:33

Alex Sanchez është ndryshe nga shumica. Ai ka pasur një karrierë të suksesshme në vendlindje, në Spanjë, duke realizuar ëndrrën fëmijërore me paraqitje në La Liga me skuadrën Real Zaragoza dhe më pas me Osasunan. Ishte një sukses i madh që u arrit me gjithë pengesën fizike, pasi Sanchez është lindur pa dorën e djathtë.

Por nuk është vetëm fiziku që e dallon Sanchezin nga të tjerët. Futbolli mund të jetë pasioni i tij më i madh, por 30-vjeçari është përgatitur edhe për jetën pas fushës së blertë.

Ai ka kompletuar me sukses diplomimin në juridik, e po ashtu ka doktoratën në të drejtat e njeriut dhe po shikon të përfundojë shkallën master në politikë, shkruan “FIFA.com”, transmeton “Koha Ditore”. Shkrimi i një libri të gërshetimit të sportit me të drejtat e njeriut është projekti i tij i radhës. Në të njëjtën kohë, ai është bërë model për të rinjtë që kanë ndonjë pengesë fizike.

Në moshën 28-vjeçare, Sanchez vendosi për një përvojë të re jetësore. Ai papritmas u vendos në Sydney për të luajtur në rangun e dytë të futbollit në Australi.

“Unë doja të provoja gjëra të reja në jetën time dhe vendosja në Australi ishte vendimi më i mirë që kam marrë”, ka thënë Sanchez, që i është bashkuar skuadrës Sydney Olympic. “Doja të testoja veten, doja të mësoja gjuhën angleze. Unë provoj të udhëtoj nëpër qytet dhe të mësoj sa më tepër të jetë e mundur për Australinë. Unë kam bërë shumë shokë, përfshirë edhe një nga më të mirët që kam pasur në jetë”.

Sanchez menjëherë është përshtatur në Australi si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Vitin e kaluar i dha fund pritjes së gjatë të Sydney Olympic për titull, ndërsa përfundoi edhe si golashënuesi më i mirë i skuadrës.

Një sulmues, Sanchez kishte debutuar me Zaragozan si tinejxher, ku shumë mediume e kishin përshkruar atë si lojtarin e parë profesionist pa një dorë. Mbrojtësi i Orlando Pride, Carson Pickett, ka marrë vëmendje të ngjashme për shkak të pengesës së ngjashme fizike.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme