Një ditë pas eliminimit të Feronikelit nga garat evropiane, në të cilat ishte pjesë e kampionit të Kosovës, sulmuesi Jetmir Topalli menjëherë iu bashkua në stërvitje Ballkanit që po përgatitet për edicionin 2019/20 të Superligës së Kosovës që nis më 17 gusht.
Topalli 21-vjeçar, në ndeshjen e fundit evropiane të Feronikelit kundër Slovanit të martën në Prishtinë, u aktivizua prej minutës së 68-të. Nikli pësoi humbje edhe në ndeshjen e kthimit për t'u eliminuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës. Dy javë më herët, Nikli u eliminua edhe nga raundi i parë i Ligës së Kampionëve pas triumfit në turneun parakualifikues të mbajtur në stadiumin "Fadil Vokrri". Topalli luajti për Feronikelin në katër ndeshje të këtyre garave evropiane, pasi ishte huazuar nga Ballkani me kërkesën e trajnerit Zekirija Ramadani. Në fakt, Ballkani për garat evropiane nuk ia kishte huazuar vetëm Topallin, por edhe mbrojtësin e krahut të majtë, Arbër Potoku. Të mërkurën, si Topalli ashtu edhe Potoku kanë stërvitur nën urdhrat e Ismet Munishit te Ballkani.
"Menjëherë kam nisur stërvitjet me Ballkanin, pasi unë jam pjesë e këtij ekipi dhe te Feronikeli kam qenë i huazuar vetëm për garat evropiane. Me Ballkanin kam edhe një vit kontratë dhe tash po mendoj për Superligën e Kosovës", u shpreh Topalli, shkruan Koha Ditore.
Ai insiston se përvojën evropiane që e pati me fanellën e Feronikelit, do të mundohet ta shfrytëzojë për t'i ndihmuar Ballkanit që në edicionin e ri, synon të përfundojë sa më lart në tabelë. Topalli ndihet krenar që ka shijuar garat evropiane, ndonëse Ballkani edicionin e fundit e përfundoi në pozitën e tetë, duke i ikur për një pikë barazhit. Topalli pranon se huazimi te Feronikeli i ka ardhur si "bonus", të cilin nuk e ka pritur fare... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)