Sport

Kolashinac ishte shënjestër e hajdutëve, jo Ozili

Mbrojtësi i Arsenalit, Sead Kolashinac kishte luftuar me grushte të tij me dy hajdutë në një sulm që kishte ndodhur të enjten.

Mirëpo, xhirimet e kamerave jashtë shtëpisë luksoze të Kolashnicait, tregojnë se vet mbrojtësi kishte qenë shënjestër e hajdutëve.

Ishte menduar fillimisht se hajdutët kanë provuar të vjedhin veturën luksoze të Ozilit të markës Mercedes.

Mirëpo, në fakt hajdutët kishin tentuar të vjedhin orën e shtrenjtë të dorës që e kishte Kolashinac.

Pronari i restorantit, ku kërkuan ndihmë dy futbollistët e Arsenalit, Yasmin Tahsiner, kishte thënë se bashkëshortet e dy futbollistëve ishin në veturë, por është mësuar se vetëm bashkëshortja e Ozilit ishte në veturë.

Një shok i Kolashinacit ka treguar se Ozil dhe bashkëshortja e tij ishin jashtë shtëpisë së boshnjakut dhe vërejtën një motoçikletë duke u endur në atë zonë.

Ozil ishte në ulësen e shoferit duke biseduar me Kolashinacin, që ishte jashtë veturës, kur hajdutët goditën duke kërkuar nga Kolashinaci që të dorëzonte orën, transmeton Koha Ditore.

"Një nga ta drejtoi një metal të madh në drejtim të tij dhe i tha dorëzoje orën", ka rrëfyer shoku i Kolashinacit.

Mësohet se gjëja e metaltë ishte thikë e madhe.

Kolashinac luftoi me duart e tij, duke i dhënë një grusht njërit prej sulmuesve. Më pas hipi në veturën e Ozilit dhe ikën, ndërsa hajdutët vazhduan ndjekjen.

"Kur po e ndiqnin veturën e Ozilit ata po gjuanin tulla të mëdha dhe po përdornin një shkop të madh duke e goditur. E dëmtuan veturën. Bashkëshortet ishin brenda dhe ishin të frikësuara. Ne nuk e kuptuam fillimisht se çfarë po ndodhte, më pas pamë një motoçikletë duke kaluar dhe e kuptuam se ishte serioze. Ata ishin ndjekur nga motoçikleta afro dhjetë minuta. Ishte e frikshme. Po gjuanin tulla në veturë dhe kishin një shkop të madh. Ndodhi jashtë shtëpisë së Seadit. Ai tentoi të mbrohej. Ishte e frikshme. Por, të them të drejtën ata ishin mjaft të qetë kur e shpjegonin se çfarë ndodhi, gjë që ishte e jashtëzakonshme", ka deklaruar Tahsimer.

Kolashinac në rrjete sociale konfirmoi se ai dhe Ozil janë në rregull.

"Mendoj se jemi në rregull", shkroi ai.

Ndërsa postoi një foto të tij dhe Ozilit me fanellën e Arsenalit gjatë vizitës së fundit në SHBA.