Notarët Dren Ukimeraj dhe Eda Zeqiri të hënën (nesër) do të debutojnë në Kampionatin Botëror të notit që po mbahet në Gwangju të Koresë së Jugut.
Ukimeraj do të paraqitet në disiplinën krol (200 metra), kurse Zeqiri në disiplinën shpinë (100 metra), raporton “Koha Ditore”. Pos Ukimerit e Zeqirit, Kosova në këtë botëror do të përfaqësohet edhe nga Fjorda Shabani që do të garojë gjatë ditëve në vijim.
Ndërkohë, të hënën (nesër), do të garojnë edhe notarët e Kosovës që po paraqiten në festivalin olimpik për të rinj “Baku 2019”.
Jona Macula dhe Elona Zhugolli do të garojnë në disiplinën krol (100 metra), Hana Fejzullahu në disiplinën delfin (200 metra), kurse Olt Kondirolli do të paraqitet në dy disiplina: krol 400 metra dhe shpinë 100 metra.