Sport

Fury thotë se Joshua s’do të këndellet më

Foto: Reuters

Tyson Fury beson se ish-kampioni i botës Anthony Joshua nuk do të mund të këndellet pas humbjes shokuese nga Andy Ruiz.

29-vjeçari Joshua më 1 qershor humbi titujt IBF, WBA dhe WBO duke u mposhtur nga Ruizi pas shtatë rundesh në New York.

Duke folur para përballjes me Tom Shwarz, boksieri Fury ka thënë se Joshua nuk donte të ishte në ring me Ruizin.

“Kur një njeri nuk do që të jetë aty, ai gjithmonë do ta bëjë këtë dhe është e vështirë të kthehesh prapa”, ka thënë Fury për BBC. “Ka ndodhur shumë herë me shumë boksierë. E bëri këtë atë natë dhe nuk mendoj se do të kthehet më. Ka marrë fund. Pyetni çdo trajner që ka qenë në këtë sport. Kur ishte në atë ring e pash që nuk donte të ishte aty”, ka shtuar ai.

Duke folur për ofertën e mëparshme të Joshuas për t’u përballur me Furyn, ai ka thënë se nuk e kupton si Joshua ka menduar se do të fitonte. Sipas Furyt, Joshua fizikisht mund t’i kalojë të gjithë, por ka shtuar se “boksi nuk është shkencë”.

Image

“Nëse mund të luftosh, ti lufton, nëse jo thjesht harroje. Mund të hash çdo proteinë në botë, por kur goditesh në mjekër dhe frikësoheni, nuk të ndihmojnë. Njerëzit që nuk kuptojnë boksin shohin një burrë të trashë dhe mendojnë se ai s’mund të luftojë. Ndjenja më e mirë që kam pasur nga kjo ishte se dy boksierët më të mirë fizikisht në 20 vjetët e fundit kanë qenë Klitschko e Joshua dhe të dy u mposhtën nga dy boksierë të trashë”, ka shtuar Fury duke shtuar se nuk pret që Joshua të fitojë rimeçin me Ruizin.

Fury ka rekord 25 fitore e 1 barazim, të cilin e arriti në dhjetor me Deontay Wilderin. Fury mungoi për 31 muaj në boks pas problemeve mendore dhe drogës.