Sport

FHK reagon për diskriminimin në Spanjë

Federata e Hendbollit e Kosovës ka reaguar te zyrtarët e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit për trajtimin diskriminues dhe jo të barabartë të saj në ceremoninë e shortit për Botërorin në Hendboll U21, që u mbajt sot në Pontevedra në Spanjë, me ç’rast Kosova u prezantua me logo të FHK-së e jo me flamur shtetëror.

“Jemi të indinjuar dhe të befasuar nga ky akt i mosrespektim dhe trajtimit jo të barabartë të Kosovës si shtet dhe të FHK-së. Jemi të befasuar nga trajtimi i tillë i Kosovës nga ana e Federatës Spanjolle të Hendbollit dhe të përfaqësuesit të IHF-së, Per Bertelsen, i cili udhëhoqi shorteun”, thuhet në njoftim të FHK-së.

FHK ka thënë se ka kërkuar urgjentisht sqarime për këtë çështje dhe ka kërkuar që Kosova të respektohet si të gjitha vendet tjera pjesëmarrëse në Botërorin U21 që mbahet në korrik në Spanjë.

Federata e Hendbollit e Kosovës ka thënë po ashtu se e ka informuar edhe Komitetin Olimpik i Kosovës nga i cili ka kërkuar të reagojë te Komiteti Ndërkombëtar.

Kjo është letra që FHK-ja i ka dërguar Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit:

Ne nga Federata e Hendbollit e Kosovës ishim shumë të befasuar për trajtimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe Kosovës si shtet, në eventin e shortit për Kampionatin Botëror për juniorë që u hodh në Pontavedra në Spanjë.

Shteti ynë nuk u prezantua me flamurin kombëtar sikur shtetet tjera. Federata e Hendbollit e Kosovës dënon fuqishëm këtë mënyrë të trajtimit të federatës dhe shtetit tonë. Federata e Hendbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të barabarta e IHF-së dhe EHF-së dhe duam të trajtohemi si e tillë.

Federata e Hendbollit e Spanjës duhet të trajtojë të gjitha shtetet njësoj.

Po ashtu ishim të befasuar që përfaqësuesi i IHF-së në ceremoninë e shortit, Per Bertelsen, lejoi diskriminimin e shtetit dhe federatës sonë.

Po ua kujtojmë, që të gjitha shtetet që luajtën në Kosovë u trajtuan me respekt për flamujt dhe himnet kombëtare, pavarësisht raporteve politike.

Në lidhje me këtë situatë, duam urgjentisht shpjegim përse ka ndodhur kjo, dhe duam nga IHF-ja dhe Federata e Hendbollit e Spanjës të garantohet që ekipi i Kosovës në hendboll dhe zyrtarët do të trajtohen baras me të gjitha shtetet tjera dhe në pajtim me statutin e IHF-së e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, anëtar i së cilës është edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.