Sport

Bernardo Silva, lojtari që e çoi Cityn në nivel tjetër

Anëtarët e stafit të Manchester Cityt po kontrollonin nëpër protokolle të skuadrave. “Kush është ai numri 10, ai i vogli?”, pyesnin ata.

I veshur me fanellën e bardhë me vija të kuqe të Monacos ishte Bernardo Silva, që sapo kishte ndalur një top të lartë që i erdhi në drejtim të tij në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Etihad”, më pas kaloi dy lojtarë të Manchester Cityt dhe pasoi me thjeshtësi topin, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”. Ishte një moment shkëlqimi që duket se e bëri pa shumë mund, dhe një moment që bëri zyrtarët e Cityt të magjepsen me të.

Manchester City në fakt fitoi 5:3 në atë ndeshje, të luajtur afro dy vjet më parë, por shumë u fol për atë futbollist. Brenda pak orëve pas përfundimit të ndeshjes, Pep Guardiola i tha drejtorit sportiv Txiki Begiristian: “Të lutem vëzhgoje, ai është i jashtëzakonshëm”.

Ata e bënë këtë. Silva kaloi te Manchesteri menjëherë pas një pushimi në Ibiza, me brekë sportive rozë, për të finalizuar një transferim 43 milionë funtesh në fund të majit 2017. Ishte blerja e parë e Guardiolas në afatin kalimtar të asaj vere dhe po tregon se ia ka vlejtur ajo shumë që është paguar për të.

Për shumë te Manchester City, Silva ka qenë lojtari më i jashtëzakonshëm i klubit në luftën për mbrojtje të titullit në Premier League. Ai ka operuar si në qendër ashtu edhe në krah. Dhe një vend për të në skuadrën më të mirë të vitit nga Asociacioni i Futbollistëve Profesionistë (PFA) nuk ishte befasi.

Ndikimi i tij disi ishte i nënvlerësuar stinorin e kaluar, duke marrë parasysh se luajti vetëm 15 ndeshje në Premier League si titullar dhe një gjatë së cilës Guardiola ishte i impresionuar dhe i shokuar, se me sa durim Bernardo po priste për rastin.

Guardiola ka dy rregulla: shëno apo mos e humb topin. Silva, shumë rrallë humbet topin, por është po aq efikas edhe pa të. Në gjithë Premier Leaguen, vetëm Christian Eriksen vrapon mesatarisht më tepër se Silva, që është 12.1 kilometra.

Bernardo Silva mezi po qëndronte në këmbë ndërsa po hante një banane pas një performance të madhe kundër Liverpoolit në janar, ku vrapoi 13.71 kilometra.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)