Sport

Nis “playoff”-i në NBA. Fitojnë Golden State e San Antonio

Faza e “playoff”-it në NBA nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për kampionët në fuqi të Golden State, që fitoi ndeshjen e parë në derbin kalifornian me Los Angeles Clippers 121-104.

Skuadra e Warriors e vendosi sfidën në drejtimin e dëshiruar që në pjesën e parë të sfidës, të cilën e mbylli me rezultatin 69-56. Protagonisti për Golden State në parket u bë Stephen Curry me 38 pikë të shënuara, 24 nga të cilat nga distanca e 3 pikëve, duke u bërë shënuesi më i mirë në historinë e “playoff”-it në NBA me gjuajtjet për 3 pikë. Me pikët e shënuara ndaj Los Angeles Clippers, Curry shkoi në 386 pikë të shënuara nga distanca, duke lënë pas një tjetër specialist në këtë aspekt të lojës, Ray Allen, me 385, transmeton tch.

Duke u kthyer te ndeshja, në këtë sfidë pati edhe momente nervozizmi dhe këtë e tregon përjashtimi nga parketi i Kevin Durant dhe Patrick Beverly.

Fitore shënoi edhe San Antonio që mund të quhet në një mënyrë edhe surpriza e mbrëmjes. Skuadra teksane iu imponua Nuggets 101-96, duke marrë kryesimin në serinë e përballjeve me të (1-0). Në këtë ndeshje Denver ishte e detyruar që të ndiqte në rezultat skuadrën e San Antonios, që është një skuadër eksperte kur bëhet fjalë për ndeshjet e fazës së “playoff”-it. Teksanët e mbyllën pjesën e parë 59-51, ndërsa pas pushimit të ndeshjes e çuan diferencën deri në 17 pikë, me Denverin që gjithsesi gjeti mundësinë të reagojë për të qenë në lojë deri në fundin e sfidës. Kur kishin mbetur 13 sekonda nga fundi, San Antonio kryesonte vetëm me 1 pikë (97-96) kur Jamal Murray gaboi në dy momente që u shfrytëzuan nga Spurs, që shënuan 4 pikët e fundit të sfidës për ta mbyllur atë 101-96.

Një tjetër surprizë e mbrëmjes në raundin e parë të fazës së “playoff”-it është edhe fitorja e Orlandos në “Scotiabank Arena” të Torontos, teksa mposhti skuadrën kanadeze 104-101 në sfidën e parë me të. Ishte një gjuajtje e saktë për 3 pikë e D.J Augustin 3.5 sekonda nga fundi i ndeshjes ajo që i dha fitoren skuadrës nga Florida. Për Toronton vijon makthi i ndeshjeve të para në fazën e Playoffit dhe deri tani bilanci i kanadezëve është 2 fitore dhe 14 humbje në këtë aspekt.

Në ndeshjen tjetër të “playoff”-it në NBA, Philadelphia humbi ndaj Brooklyn Nets me rezultatin 102-111.