Gerrardit i është sosur durimi me yllin kolumbian

Gerrardit i është sosur durimi me yllin kolumbian

01 April 2019 21:25

Trajneri i Rangersit, Steven Gerrard më në fund ka humbur durimin me sulmuesin Alfredo Morelos, pasi kolumbiani ka marrë kartonin e pestë të kuq këtë stinor gjatë humbjes 2:1 në derbin e madh skocez të shtunën ndaj Celticut.

Morelos u ndëshkua me karton të kuq direkt pasi kishte goditur më bërryl kapitenin e Celticut, Scott Brown në një incident pa top, kur kishte kaluar vetëm gjysmë ore lojë.

"Unë kam duruar mjaft me Morelosin, por nuk mund të mbroj këtë", ka thënë Gerrard, skuadra e të cilit ka mbetur 13 pikë prapa Celticut ndërsa deri në fund janë edhe shtatë xhiro. "Ai ka lënë në lloç bashkëlojtarët dhe tifozët".

Gerrard ka shtuar se sulmuesi temperament do të gjobitet edhe me një pagë javore.

Morelos, që është golashënuesi më i mirë në ligë me 17 gola, është suspenduar për katër ndeshje pas incidentit në derbin skocez të dielën.

Ai të hënën ka kërkuar falje.

"Unë dua t'i kërkoj falje gjithë tifozët, bashkëlojtarëve të mi dhe stafit të trajnerëve për atë që ndodhi në ndeshjen e të dielës", ka thënë 22-vjeçari në një deklaratë të hënën. "Premtoj se do të bëj çdo gjë në forcën time për të siguruar që asgjë e tillë të mos përsëritet më dhe të jap çdo gjë për klubin dhe tifozët. Ju falënderoj për përkrahjen dhe afinitetin që gjithmonë më keni dhënë".

Morelos kartonin e parë të kuq këtë stinor e mori për një goditje ndaj mbrojtësit të Aberdeenit, Scott McKenna në gusht, karton që u anulua më vonë. Por, sulmuesi u përjashtua me të kuq dy herë tjera ndaj kundërshtarit të njëjtë në dhjetor dhe shkurt.

Morelos, që ka shënuar 29 gola për Rangersin këtë stinor, po ashtu mori të kuq në barazimin 1:1 në plejof të Ligës së Evropës kundër skuadrës ruse UFA.

"Unë ende mendoj se ai është lojtar fantastik dhe ende do ta mbrojë, por ka një vijë dhe ai ndoshta e ka kaluar atë vijë me mua tashmë. Tash e tutje kjo mosdisiplinë duhet të ndalojë. Do të marrë masa shumë më të rrepta", ka thënë Gerrard.

Morelos ndërkohë ka thyer rekordin e Evropës për më së shumti kartona të kuq të marrë në një stinor. Ai e ka kaluar Sergio Ramosin e Real Madridit dhe bashkëlojtarin Ryan Jack me nga katër kartona të kuq që kishin.

Ai në fakt aktualisht ka më tepër kartona të kuq këtë stinor se çdo skuadër tjetër në Premier Leaguen e Skocisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme