Sport

Enrique e vlerëson Ramosin si lojtar unik

Seleksionuesi i Spanjës, Luis Enrique ka përgëzuar heroin Sergio Ramos pasi Spanja ka startuar me fitore ciklin eliminator për “Euro 2020”, duke mposhtur Norvegjinë të shtunën me shifrat 2:1.

Spanja dominoi me posedim dhe raste në ndeshjen në Mestalla, mirëpo iu desh një penallti e shënuar nga Ramos në minutën e 71-të për të siguruar të tri pikët. Ai realizoi me “panenka”.

“Jam i lumtur me çdo gjë, me qasjen dhe se si kemi përforcuar, pasi kemi biseduar në stërvitje gjatë javës. Ndoshta nuk ishim shumë efikas dhe duhet të forcojmë besimin e lojtarëve tanë. Por ne jemi paraqitur mirë dhe e kemi ditur se do të vuajmë për të fituar ndaj Norvegjisë, pasi Norvegjia mbrohet mirë. Sergio Ramos ka bërë shumë mirë me realizimin e penalltisë. Ai është lojtar unik në histori”, ka thënë Enrique, përcjell gazeta “Marca”, transmeton “Koha Ditore”.

“Ne thjesht duhet të jemi të lumtur dhe të vlerësojmë të gjitha gjërat pozitive. Unë kam besim se mund të përmirësohemi me përkrahje të lojtarëve. Mendoj se kemi merituar të fitojmë 5:1 apo 6:1, por futbolli të shpërblen vetëm për golat dhe ne e kemi ditur se duhet të jemi fizikisht të fortë”, shtoi ai.

Ramos shquhet për reputacion si mbrojtës jo i pastër, mirëpo sulmuesi i Norvegjisë, Joshua King ka pasur vetëm fjalë të mira për Ramosin pas ndeshjes. King realizoi golin e barazimit për Norvegjinë.

“Ramos ka reputacionin se është i pistë dhe i ashpër, por unë nuk e mbaj në mend se kam luajtur me një qendërmbrojtës aq të këndshëm si ai. Nuk kam parë të gjitha ndeshjet e tij, por mendoj se të gjitha ndërhyrjet e tij kanë qenë të pastra dhe ai dukej një sportist shumë i mirë. Ai ka fituar disa nga duelet dhe unë kam fituar disa të tjera, mendoj se ishte ndeshje e mirë”, ka thënë King.