Sport

Curri: Prishtina është dëmtuar nga arbitrat, lufta për titull s’ka përfunduar

Debatik Curri, pjesë e shtabit teknik te FC Prishtina, ka thënë se lufta për titull ende s’ka përfunduar derisa ka theksuar se Prishtina është dëmtuar nga gjyqtarët në dy ndeshjet e fundit kampionale ndaj Llapit dhe Feronikelit.

Prishtina sot ndau pikët me Feronikelin, duke barazuar 1-1, dhe për Currin ky ishte një rezultat i mirë.

“E kemi përgatitur mirë këtë ndeshje. Siç dihet Feronikeli është një skuadër shumë e mirë. Ne jemi munduar të motivojmë lojtarët dhe t’u tregojmë se është një ndeshje shumë e rëndësishme. Së pari kemi kërkuar të mos humbim, pasi do të shkëputej Feronikeli në tetë pikë. Ndeshja ishte shumë e mirë, por pas kartonit të kuq ndryshoi rrjedha e takimit. Asgjë s’ka përfunduar dhe do të luftojmë për titull deri në fund”, ka deklaruar Curri në Interaktiv të KTV-së.

FC Prishtina: Të parandalohet projekti kundër nesh, u dëmtuam në dy ndeshjet e fundit

Ai më tutje ka folur edhe për gabimet e gjyqtarëve në dy ndeshjet e fundit, atë kundër Llapit dhe për ndeshjen e sotme kundër Feronikelit, derisa thotë se ato janë tendencioze.

“Të tri skuadrat jemi aty, ende asgjë s’ka përfunduar pasi janë edhe 12 xhiro. Problemi kryesor është arbitrimi që ka qenë në dy ndeshjet e fundit. Nuk e di nëse është tendencioz apo çfarë po ndodh. Mungon një refer me stemë të FIFA-s që ka të drejtë t’i referojë Prishtinës. Gabimet e gjyqtarëve i kushtojnë klubit me objektivat e saj, e shkojnë poshtë të gjitha investimet e klubit. Nëse për 90 minuta vrapon e del një arbitër ta humbë gjithë mundin, ta humbë edhe ndeshjen e kampionatin”, ka deklaruar Curri.