Sport

​UEFA e dënon Sergio Ramosin

Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos është dënuar nga UEFA me dy ndeshje moslojë.

Pas këtij dënimi, Ramos do të humbë takimin e kthimit me Ajaxin si dhe me kundërshtarin e mundshëm që Real Madridi do të ketë në çerekfinale.

Komiteti Disiplinor i UEFA-s ka vendosur që edhe zyrtarisht ta dënojë Ramosin, pasi e mori me qëllim një karton të verdhë kundër Ajaxit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve më 13 shkurt, transmeton KP.

Ramosi në një paraqitje të tij për media, pas ndeshjes më 13 shkurt, kishte pranuar se e kishte marrë me qëllim kartonin e verdhë.

“Duke e parë rezultatin, do të gënjeja nëse do të thosha se nuk e mora me qëllim kartonin. Nuk e bëra për ta nënvlerësuar kundërshtarin, apo për të menduar se kjo ndeshja është punë e kryer, ama në futboll duhet të marrësh vendime të vështira”, pati theksuar Ramos. Më vonë, 32-vjeçari ndryshoi deklaratat duke thënë se nuk e kishte bërë me qëllim.