Sport

Plot 25 karateistë nga Kosova në Evropianin për të rinj

Descriptive Text

Përfaqësuesja e Kosovës do të paraqitet me plot 25 garues në kampionatin evropian të karatesë për grupmoshat e reja që do të mbahet në qytetin Aalborg të Danimarkës, ka njoftuar Federata e Karatesë e Kosovës (FKK).

Evropiani do të nisë të premten (sot) dhe do të përfundojë të dielën, ndërsa Kosova do të paraqitet në tri kategori: U-21, juniorë dhe kadetë, shkruan sot Koha Ditore.

"Ne në Danimarkë do të shkojmë për të fituar medalje dhe besoj në suksesin e garuesve tanë", ka thënë përzgjedhësi i Kosovës, Isak Curri, para nisjes për në Danimarkë, që është bërë të martën.

Në kategorinë U-21, Kosova do të ketë nëntë garues, ndërsa nga një më pak do të jenë në dy kategoritë e tjera, atë të juniorëve dhe kadetëve. Te seniorët në garat e fundit Kosova ka dështuar të fitojë medalje.