Sport

Trepça e goditur rëndë kërkon këndelljen në derbi

Pas goditjes së rëndë që morën javën e kaluar, te Trepça presin të reagojnë të dielën. Një reagim të skuadrës të paktën e presin tifozët e Trepçës, "Torcida".

Trepça të dielën nga ora 17:00 në palestrën "Minatori" në Mitrovicë e pret Golden Eagle Yllin në derbin e javës së 16-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Të dielën e kaluar, në xhiron e parë të stinorit pranveror Trepça pësoi humbjen më të thellë të stinorit. Z Mobile Prishtina fitoi ndaj "xehetarëve" me shifrat 105:49.

Ndërkohë Golden Eagle Ylli në Mitrovicë udhëton në një moment të mirë për këtë skuadër nga Suhareka. E frymëzuar nga Alban Veseli i kthyer pas disa muajsh në basketboll, skuadra e Yllit fitoi ndaj Bashkimit në Prizren me shifrat 83:65, shkruan sot Koha Ditore.

Ylli është në vend të dytë me 25 pikë, sa i ka edhe Rahoveci në vend të tretë. Trepça është e katërta me 22 pikë sa i ka edhe Bashkimi në vend të pestë. Pas tyre është Ponte Prizreni me 26 pikë. Bindshëm prin Z Mobile Prishtina me 30 pikë. Janë këto gjashtë skuadra që pritet të paraqiten në plejof, ndërsa garë e madhe pritet të jetë për pozitën e dytë, që dërgon në gjysmëfinale. Pozita e parë nuk diskutohet shumë - ajo pritet t'i takojë Prishtinës.

Pas humbjes së rëndë e të përjetuar po ashtu rëndë nga tifozët, Trepça ka ndërruar njërin prej lojtarëve të huaj. Në vend të Kevin Bakerit ka ardhur plejmejkeri Aaron Anderson. Pritet të luajë edhe Harold Ridgawey, që nuk u paraqit ndaj Prishtinës. Amerikani i tretë te Trepça është Dwane Miner.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).