Sport

Sporti fiton betejën ndaj politikës, Spanja lejon sportistët kosovarë me simbole shtetërore

Qeveria e Spanjës ka marrë vendim që tani e tutje të mos e përziejë politikën në sport, duke vendosur që t’i njohë simbolet shtetërore të Kosovës, bën të ditur KOK-u përmes një komunikate për media.

Qeveria spanjolle është dorëzuar para kërcënimit të vazhdueshëm të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), të cilët kërcënuan Spanjën që nëse nuk garantojnë se do të lejojnë sportistët e Kosovës të garojnë të barabartë me shtetet tjera në garat ndërkombëtare të organizuara në territorin e këtij vendi, nuk do t’ua japin organizimin e asnjë gare ndërkombëtare.

“Menjëherë gjatë ditës së sotme është mbledhur Qeveria e Spanjës, e cila ka vendosur që tani e tutje krahas pjesëmarrjes në gara të sportistëve të Kosovës, t’i lejojë të garojnë edhe me flamurin e Kosovës dhe himnin e vendit tonë”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Spanjës me shpresën se një vendim i tillë do të merret edhe nga vendet tjera të cilat nuk e njohin Kosovën.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, presion Spanjës për atletët e Kosovës

“IOC dhe Komiteti Olimpik i Spanjës dëshirojnë të shprehin publikisht kënaqësinë e tyre të thellë me vendimin e marrë sot nga Qeveria Spanjolle lidhur me pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në garat ndërkombëtare në Spanjë. Me këtë vendim të komunikuar sot nga Ministria e Punëve të Jashtme, Bashkimi Evropian dhe në bashkëpunim me Josep Borrell, Qeveria e Spanjës do t’u sigurojë delegacioneve sportive të Kosovës të garojnë në Spanjë me vizën përkatëse dhe do t’i autorizojnë ata të përdorin simbolet e tyre kombëtare, himnin dhe flamurin në përputhje me protokollin olimpik”, thuhet në njoftimin e lëshuar për media nga IOC.

Kjo do t’u sigurojë sportistëve të Kosovës të marrin pjesë me kushte të njëjta më të gjithë sportistët tjerë të 206 Komiteteve Olimpike Kombëtare të njohura nga IOC, thuhet më tej në komunikatë.

Javën e kaluar, pikërisht Qeveria e Spanjës vendosi të mos lejojë karateistët kosovarë të garojnë me flamurin dhe himnin e Kosovës në kampionatin botëror të organizuar në Madrid.

“Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, falënderon Qeverinë e Spanjës për vendimin e marrë, duke shpresuar se edhe qeveritë tjera që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës do të marrin vendime të njëjta. Po ashtu presidenti Hasani falënderon presidentin e IOC, Thomas Bach me bashkëpunëtorët e tij, si dhe presidentin e KO të Spanjës, Alejandro Blanco dhe kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë që KOK, përkatësisht presidenti, Besim Hasani, gjatë gjithë këtyre ditëve ishte në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët e lartë të IOC-ut për problemin e shfaqur javën e kaluar me moslejimin e flamurit të Kosovës në garat e karatesë, e njëkohësisht është duke bërë trysni që një zgjidhje emergjente të gjendet edhe për boksieren Donjeta Sadiku, të cilës nuk po i jepet viza nga Qeveria e Indisë, për pjesëmarrje në botërorin e boksit që nis nesër në Neë Delhi.