Sport

Trajneri i Zvezdës nuk komenton vendimin e Liverpoolit për Shaqirin

Trajneri i Cërvena Zvezdës, Vladan Milojeviq, nuk ka pranuar të komentojë vendimin e Liverpoolit për ta lënë jashtë skuadrës Xherdan Shaqirin për përballjen mes dy klubeve në Ligën e Kampionëve.

Klubi anglez sot njoftoi se nuk është i sigurt se çfarë pritje do të marrë Shaqiri në Serbi.

Zyrtare: Kloppi nuk e merr Shaqirin në Beograd për ndeshjen kundër Zvezdës

Kjo edhe pas deklaratave nga serbët se ylli shqiptar nuk mund të ketë siguri pas festës që bëri me shqiponjë në Botërorin 2018 ndaj Serbisë në golin e fitores për Zvicrën.

FIFA kishte gjobitur Shaqirin bashkë me Granit Xhakën, të dy futbollistë shqiptarë të Zvicrës, që realizuan golat në fitoren 2 me 1 dhe që festuan me shqiponjë.

Në konferencën për media, para takimit të së martës në “Champions”, Milojeviq ka thënë se klubi i tij do të luajë për të bërë krenare gjithë Serbinë.

“Për klubin, Beogradin, Serbinë dhe gjithë rajonin nesër është rast i rëndësishëm dhe mezi presim të jemi në spektakël. Do të bëjmë më të mirën që mundemi. Një nga skuadrat më të mira në Evropë dhe botë vjen tek ne. Mendoj se do të jetë spektakël në stadium dhe na pret atmosfera që vetëm tifozët tanë dinë ta bëjnë”, ka thënë ai.

Në ndeshjen e parë, Liverpooli i Shaqirit kishte fituar 4 me 0 në Anfield.