Në qytetin e Gjilanit ndodhet Kazerma e Forcës së Sigurisë të Kosovës- NEWBORN.
Kazerma njihet edhe si ajo e Regjimentit të Parë për Këmbësori, ku ushtarët kryejnë trajnime e aktivitete ditore në mënyrë që të jenë në gjendje gatishmërie për mbrojtjen e territorit të vendit, kurdo që është nevoja.
Major Kadri Berisha me krenari i tregon në detaje edhe specifikat e një dite në kazermën NEWBORN.
Rëndësia e këtyre aktiviteteve vërehet edhe kur ushtarët marrin pjesë në ngjarje jashtë kazermës, ku çdoherë tregojnë suksese të reja.
Aksioni i parë i tyre për këtë ditë është sulmi në objektiv.
Prapa kodrës që ndodhet në oborrin e kazermës ushtarët që janë në rolin e armikut e presin sulmin e tri skuadrave të tjera që vijnë në mbrojtje të territorit.
Secili i gatshëm në detyrën e tij, e përfundojnë aksionin me sukses, qëllimin dhe rolin e të cilit e tregon nëntoger Besnik Tovërlani.
“Brifingu i urdhrit në makete” është aktiviteti me radhë, ku zona e operimit është e paraqitur në miniaturë bashkë me rrugën të cilën ushtarët e kalojnë që ta mbërrijnë pikën e caktuar.
Në mënyrë që këto ushtrime të jenë sa më efikase, një pjesë të madhe të kohës ushtarët e kalojnë në palestrën e kazermës duke kryer ushtrimet fizike nën udhëheqjen e rreshter Shpëtim Eminit.
Secili nga ta, këtë pjesë të qenit ushtar e përshkruajnë me fjalët më të mira e thonë që me krenari e mbajnë këtë uniformë.
Donika Rexhepi, ushtare e klasit të parë, krahas të gjitha sfidave thotë se jeta ushtarake është ajo që e ka zgjedhur me dëshirën më të madhe.
Secila ditë në kazermën NEWBORN kalon me ushtrime të shumta, në mënyrë që ushtarët çdoherë të jenë në mbrojtje të atdheut.