SOT

Uniforma të trasha në temperatura të larta

Sa herë që bie zilja e alarmit, zjarrfikësi Behar Shala i vesh këto rroba të trasha. Për 9 vjet me radhë ai e vesh uniformën mbrojtëse nga zjarri.

Këto rroba janë të ngrohta, por janë edhe pjesë e krenarisë së punës të cilën e bën Shala.

Tymi, hiri e ekspozimi ndaj gazrave bëjnë që uniformat e zjarrit të kenë nevojë të pastrohen më shpesh. Pastrimi e tharja nga ana tjetër bëhen në lavatriçe të thjeshtë.

Sipas shefit të brigadës së zjarrfikësve të Prishtinës, Latif Zeka, shpejt pritet që punëtorët të pajisen me rroba të reja kundër zjarrit pasi që ato veçse janë pranuar pranë Agjencisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme së Menaxhimit Emergjent.

Në temperatura të larta, me rroba të tilla punojnë edhe punëtorët e pastrimit. E zëdhënësja e Kompanisë Regjionale “Pastrimi”, Arbnore Ademi, tregon se rrobat e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje ndryshojnë përgjatë stinëve.

Ndërkohë, në këtë ndërmarrje punëtorët i pastrojnë vetë rrobat e tyre. E pavarësisht se ka më shumë se një vit prej kur kanë marrë uniforma të reja, Ademi tregon se Bordi i “Pastrimit” ka marrë vendim t’i blejë ato në fillim të korrikut. Kjo, sipas saj, është duke kaluar nëpër procedura të prokurimit.

Pas përfundimit të tyre, pritet të bëhen me rroba të reja verore afërsisht 500 punëtorë.