Është 20-vjeçare, por tash e dy vjet ka një biznes të sajin.
Natyra Kalisi nga Hani i Elezit është studente e Shkencave të Politikës, e po ashtu edhe e Sigurisë Kibernetike, por dëshira që të vetëfinancohej për shkollimin, e bëri të krijonte “Studio Natyrën”.
“Aktualisht jam studente, por në kohën e lirë punoj me biznesin tim personal me çokollata të personalizuara, të cilin e kam krijuar në vitin 2019, e në mars të këtij viti kam filluar të punoj intenzivisht”, thotë ajo.
Ajo tregon për fillimet e saja në biznes, e që edhe organizatat e huaja e kishin ndihmuar mjaft shumë në sigurimin e pajisjeve, të cilat do t’ia lehtësonin edhe më tej punën.
“Gjithmonë kam pas dëshirë të kem diçka timen personale dhe me qenë aktive në shoqëri e familje, ideja ka ardhur spontanisht, jam ndihmuar nga Help Kosova përmes një trajnimi ku kam përfituar mjete të cilat kanë ndihmuar zhvillimin e biznesit”, shton ajo.
Edhe
Studentja e shkencave kompjuterike që ka pasion krijimin e aksesorëve
Lënda bazë e çokollatës së personalizuar është e importuar nga vendet e huaja, e që Natyra siguron në cilësinë e tyre.
“Materialin bazë që janë çokollatat e marrë nga vendet e huaja sepse në Kosovë nuk ka çokollata të prodhuara direkte, cilësinë mundohem ta kem më të mirën”, tregon Natyra.
Sipas saj, gjatë kësaj periudhe ka parë interesimin e madh të kosovarëve që kanë për të bërë dhurata, madje shumë prej tyre shtojnë edhe dedikime për ta.
“Kosovarët janë shumë të interesuar për dhurata, e sidomos në ahengje të ndryshme, madje janë të përpiktë në kërkesat e tyre”, thotë ajo.
Duke qenë se Natyra në shoqëri njihej për seriozitetin e saj, krijimi i këtij biznesi kishte befasuar të afërmit e saj.
Edhe
Çokollatat e verërat, pjesë e pandashme e këtyre kutive
“Shoqërinë dhe të afërmit i kam befasuar me punën time me çokollata, sepse drejtimet që unë ndjek në studime janë serioze dhe puna që kam nisur i ka habitë ata”, shton në fund ajo.
Pos angazhimeve në mësime e punë, Natyra pasion ka edhe shkrepjen e fotografive. E të gjitha pamjet e publikuara të produkteve të punuara nga ajo janë pikërisht të realizuara nga vetë Natyra.