“Me rrush të Rahovecit nuk ka, ai që e provon një herë e kërkon çdo herë”.
Kështu mendon Berat Jupa, i cili tashmë ka nisur vjeljen në plantacionet me rrush.
Ditët e fundit të verës atë e gjejnë duke punuar nga ora 6 e mëngjesit në mbledhje të rrushit në dy hektarë tokë.
“Në tokën time prej 2 hektarësh kam të mbjella 3 lloje të rrushit të tryezës dhe 1 lloj i venës, gjithsej prej 4 llojeve të rrushit janë 8 mijë file me rrush. Kjo tokë ka të veçantë sistemin e ujitjes që me mjete vetjake e kemi punuar. Puna fillon që nga pranvera e hershme duke filluar me lidhjen e fijeve, livrimi e deri te vjelja. Për vjelje dalim që nga ora 6 e mëngjesit dhe nga këtu e dërgojmë te pika jonë e shitjes. Çdo ditë rrushi ynë është i freskët për treg”, tha Jupa.
Punë e përkushtim jep gjatë tërë verës që produktet të jenë bio e pa kimikale.
“Brenda sezonit ne i vjelim rreth 40 tonë rrush, ju kisha lut Qeverisë që t’i ndihmojnë bujqit në sistemet e ujitjes. Kush ka tokë ju kisha lutë me punuar, sepse jashtë vendit nuk është edhe lehtë me punuar, këtu je në vendin tënd dhe gjithçka është në të mirë të vendit dhe tuajin personalisht. Rrushi është bio pa spërkatje me kimikale, është rrush vendor. Ka konsumatorë që rrushin e vjelin vetë, tregun e bëjmë edhe në ara”.
Edhe
Fermeri 62-vjeçar vjel rreth 80 tonë rrush
Fermeri, rrushin që e vjel në mëngjes, pasdite e dërgon në treg për shitje. Edhe pse tregu vendor lë për të dëshiruar, Jupa është i kënaqur nga shitja me pakicë.
“Gjatë ditës zakonisht i shesim nga 50 arka me rrush, 30 arka me kumbulla e pjeshka. Për çmime këtë vit është më problem, sepse çmimet e spërkatjes, plehut janë trefish, gjithashtu dhe nafta. Çmimet tek na kanë mbetur të njëjta, me shumicë janë shumë më lirë diku 2-2.30 euro është arka me rrush, ndërsa me pakicë arkat me rrush i shesim nga 4 euro”, tha ai.
Vjelja e rrushit në Rahovec për çdo vit përcillet edhe me festën e vjeljes “HardhFest”, organizim që mbledh vizitorë nga vende të ndryshme.