Faruk Kukaj mëngjesin e së mërkurës (14 shtator) arriti në Gjykatën Themelore, në Pallatin e Drejtësisë, me shpresë që drejtësia të vendosë në favor të tij.
Ai në vitin 2018 e paditi Komunën e Prishtinës për diskriminim në qasje.
Jo të gjitha objektet në kryeqytet janë të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara dhe kjo bën që Faruku dhe të tjerët shpesh të mos marrin shërbimet që u duhen.
“Padinë e kemi bërë në vitin 2018 për shkak se në qytetin ku jam rritur dhe ku po plakem më është cenuar e drejta e lëvizjes së lirë dhe qasja në institucione publike, d.m.th. në infrastrukturë në përgjithësi. Duke u bazuar në ligjet e të drejtave të njeriut, edhe unë kam të drejtë sikurse të gjithë qytetarët të kem qasje ku edhe ata mund të kenë”, tha Kukaj.
Veten e sheh si zë për të gjithë personat që kanë probleme në marrje të shërbimeve.
Edhe
Një qytetar me nevoja të veçanta kërkon mbi 320 mijë euro dëmshpërblim për pengesat në rrugë
“Në këtë seancë pres që të mos më mohohet e drejta sikurse qytetarëve të tjerë, e drejta e qasjes në infrastrukturë rrugore, por edhe në institucionet publike, që si shkak i infrastrukturës nuk mundem me hy brenda. Kjo seancë ka rëndësi se do të jetë fjala përfundimtare e dy avokateve, por unë prapë shpresoj që gjyqin ta fitoj e të jem zë i shumë personave të tjerë në krejt Kosovën”, shtoi ai.
Seanca përfundimtare nis me avokatët.
Sylejman Klinaku, që përfaqëson Kukajn, tha se qëllimi i padisë është që Komuna e Prishtinës të punojë e të ndalë këtë lloj diskriminimi.
“Sa i përket fjalës përfundimtare unë si përfaqësues i Faruk Kukajt, paditës, deklaroj se qëndrojmë pran padisë nga seancat e kaluara dhe parashtresat e dorëzuara deri më tani. Komuna e Prishtinës nuk i plotëson kushtet e duhura në infrastrukturë që u jepet mundësia personave me aftësi të kufizuar të jenë të barabartë sipas ligjit. Kërkoj nga e paditura, në këtë rast Komuna e Prishtinës, që këto forma të diskriminimit t’i eliminojë, të cilat shkelin të drejtat e paditësit në të ardhmen”, u shpreh avokati Klinaku.
Klinaku kërkoi që Komuna e Prishtinës të bëjë kompensimet e dëmeve që i janë shkaktuar klientit të tij. Ato arrijnë deri në 321 mijë euro.
Komuna e Prishtinës që ta bëjë shpërblimin e dëmit për karrocë 150 euro dhe për një asistent, paga minimale 250 euro. Shuma totale e krejt dëmit është 321 mijë euro”, tha ai.
Edhe
Faruku, imazh i forcës së personave me aftësi të kufizuara
Komuna e Prishtinës u përfaqësua nga avokati Burim Azemi, i cili tha se Kukaj nuk është diskriminuar drejtpërdrejt.
“E paditura para kësaj gjykate ka ngritur pretendimin e afatshmërisë ndaj padisë së paditësit, po ashtu sipas paditësit ka vërtetuar se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj të diskriminimit. Pra, paditësi nuk është diskriminuar drejtpërdrejt në bazë të ligjit në fuqi. I kemi kundërshtuar të gjitha ekspertizat gjatë gjithë këtij procesi gjyqësor. E paditura si problem i sheh edhe veturat e parkuara nga personat e papërgjegjshëm, të cilët duhet të ndëshkohen dhe për krejt këto çështje presim vendimin përfundimtar të gjykatës”, deklaroi Azemi.
Seanca u përmbyll me fjalën e fundit të gjyqtarit i cili tha se vendimi përfundimtar do të dërgohet në mënyrë elektronike.
Besart Elshani nga Avokati i Popullit e vëzhgoi seancën dhe tha se si zyrë mendojnë që këtu ka të bëjë me diskriminim.
“Në rastin konkret të Faruk Kukajt kemi kërkuar me kohë një mendim juridik në lidhje me mungesën e qasjes fizike në hapësirat publike në Komunën e Prishtinës. Si institucion i Avokatit të Popullit kemi ardhur në përfundim se në bazë të kërkesës së gjykatës dhe lokacionet e ankuesit paraqet diskriminim ndaj personave të kufizuar. Barra e provës në rast të diskriminimit i bie palës së paditur, pra Komunës së Prishtinës dhe assesi palës paditëse”, pohoi Elshani.
Pavarësisht vendimit, Kukaj thotë se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi.
Edhe
Qytetari me aftësi të kufizuara fiton rastin ndaj Komunës së Prishtinës
“Shpresoj që do ta fitoj padinë pasi që është diskriminim për mua. Për të drejtat e mia do të vazhdoj derisa të jem gjallë, sepse pak ka përmirësim në ketë drejtim, pasi që deri më tani nuk është ndërmarrë diçka në të mirë të personave me aftësi të kufizuara. Deri më tani kanë qenë vendimet vetëm në letër, ka ardhur koha që duhet të veprojmë”, tha Kukaj.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.