“Jo akoma nuk kam marrë asnjë para, ende jemi në procedura gjyqësore”.
Që nga viti 2018 kërkon kushte e qasje më të mira edhe nëpërmjet padisë në gjykatë.
Meqenëse nuk u nda i kënaqur me miratim të vetëm një pjese të padisë, atë e dërgoi për në shkallën e dytë.
Pesë vjet prapa ende nuk ka një vendim lidhur me padinë që Faruk Kukaj, person me aftësi të kufizuara, ka bërë ndaj Komunës së Prishtinës për moskrijimin e qasjes për ta.
Edhe pse kryetari Përparim Rama gjatë së dielës ishte me të në përurimin e muralit që “Handikosi” e ka bërë për Farukun në shenjë nderimi për kontributin e tij për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, ai
thotë se nëse nuk do të ndërmerret asgjë ai prapë do ta padisë Komunën.
“Këtu nuk qëndron çështja tek paratë. Ato para janë kërkuar vetëm si dëmshpërblim i dëmeve të mija dhe të gjitha shpenzimeve që kam bërë deri më tani. Unë kam ngritë padi ndaj komunës së Prishtinës, për mos krijimin e qasjes në kryeqytet për personat me aftësi të kufizuara. Kur e kam bërë këtë padi jam bazuar në ligjin kundër diskriminimit, prandaj shkalla e parë e Gjykatës e ka pranuar pjesërisht padinë dhe është pranuar që ka diskriminim ndaj meje. Ata e kanë pranuar që më është pamundësuar qasja në përgjithësi që nga dalja e oborrit të shtëpisë time dhe në komplet infrastrukturën si dhe në objekte institucionale në kryeqytet”, tha ai.
Ndërsa sa i përket muralit ai thotë që ndihet shumë i nderuar për shkak se më në fund, po vlerësohet kontributi i tij.
“Unë jam shumë i nderuar për mua murali prezanton vlerë, madhështi dhe respekt për kontributin tim në shoqëri. Normalisht që po ndihem mirë sepse po më vlerësohet kontribut se çfarë kam bërë për personat me aftësi të kufizuara, jam i nderuar sepse do ta shohin edhe të tjerët, më shërben edhe për inkurajim që të vazhdoj më tej”.
“Ne normalisht që nuk kemi qenë të kënaqur me vendimin e Gjykatës dhe padinë mandej e kemi dorëzuar për në shkallën e dytë në Gjykatën e Apelit, e tani po presim se çfarë do të bëhet tash e mbas. Nuk jam i kënaqur me zvarritjen e procesit, mirëpo po presim”, shtoi Kukaj.
Ndërsa nga Gjykata thonë se kjo lëndë nuk është prioritet për ta, lëndët e vjetra do të shqyrtohen deri në fund të këtij viti.
“Lënda është në proces dhe nuk mundemi që të japim detaje. Por mund të themi që kemi lëndë të tjera, pasi jemi në fund të vitit dhe ato lëndë janë më të vjetra sesa kjo në fjalë dhe normalisht që do të kenë përparësi ato”.
Në tetor të vitit të kaluar kjo gjykatë ia kishte aprovuar në shkallë të parë padinë duke e detyruar Komunën që t’ia paguajë 5500 euro dëmshpërblim Kukajt.
Faruku kishte kërkuar dëmshpërblim nga Komuna, saktësisht nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, në vlerë prej 320 mijë eurove për diskriminim në lëvizje të lirë.