SOT

Mulliri që i shpëtoi kohës në lagjen Buzhalë të Budakovës

Kujtimet për kohën e rinisë kur punonte në mullirin e familjes së tij ende i mban të freskëta Milazim Buzhala.

Kjo, edhe për arsyen se mulliri i familjes Buzhala qëndron ende në këmbë.

Vjetërsia e saktë e këtij mulliri nuk dihet, tregon Buzhala.

Por, rruga e cila ka kaluar në Lagjen Buzhalë të fshatit Budakovë ka qenë lehtë e qasshme edhe për vendet fqinje.

Kjo le të kuptohet se mulliri mund t’i ketë afro 200 vjet.

Kur familja e tij ishte vendosur aty e kishte gjetur vetëm bazamentin e mullirit, për ta rindërtuar, që ta kthejë në burim të të ardhurave për familjen.

Natyra me të cilën rrethohet tash ky mulli është piktoreske e u lë mbresa kalimtarëve të rastit të cilët nuk kalojnë andej pa shkrepur ndonjë fotografi.

Interesohen edhe për informata shtesë, meqenëse Milazim Buzhala e kalon pjesën më të madhe të kohës tek mulliri.

I di shumë mirë edhe pjesët e mullirit të cilat janë mbuluar nga pluhuri, ngase nuk po mund të funksionojë nga rrjedha e dobët e ujit.

Përpos interesimit nga vizitorët, Buzhala thotë se ky mulli duhet të studiohet nga historianë e të merret parasysh edhe nga institucionet.

Sepse, përveç faktit që u mbijetoi luftërave e kohës, kujdesi për këtë objekt duhet të jetë i vazhdueshëm.

Shumë shpejt mullirit të familjes Buzhala do t’i vendoset çatia e njëjtë me atë që e kishte në të kaluarën.