Këta janë dy nga njëzet hektarët të cilëve Tefik Jashari ua hodhi farën e grurit këtë tetor.
Reshjet e fillimit të vjeshtës thotë se e kanë përgatitur tokën cilësore të Ballocit për ta filluar mbjelljen e grurit me kohë.
E mjetet adekuate ua kanë lehtësuar edhe më tej punën Jasharit dhe vëllezërve të tij me të cilët e punon bashkë tokën.
Toka duhet bërë gati para dhe pas hedhjes së farës.
Me rritjen e çmimit të naftës vijnë edhe sfidat për fermerin nga Balloci, marrë parasysh se me dy traktorë po e kryente këtë veprimtari.
E meqenëse e ka edhe fermën e lopëve, një pjesë të rendimentit e shfrytëzon edhe si ushqim për to.
Bujqësia është një traditë e trashëguar në familjen e tij e që vazhdon ta punojë me përkushtimin më të madh.
Në vitin e kaluar sipërfaqja e mbjellë me grurë nuk ka dhënë rendiment aq të kënaqshëm.
Shpresa për rendiment të lartë mbetet për korrikun e vitit që vjen.
Ndihmat në formë të subvencioneve, Jashari thotë se lënë për të dëshiruar, dhe se të gjitha mjetet e punës i kanë siguruar vetë.
Edhe ato subvencione që i kanë takuar janë shpërndarë pas sezonit, kur fermerët duhet të bëjnë investime, tregon ai.
“Pa e pasur pasion një punë, cilado qoftë ajo, nuk përfundon me sukses” thotë Jashari, i cili po e përmbyll procesin e mbjelljes së grurit për këtë vit me shpresë që rendimentet e vitit tjetër të jenë më të mëdha.